Incidentet kriminale, kërkohet ashpërsim i masave nga shteti

Katër persona janë përfshirë në gjuajtjet me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes në Prishtinë.

Si pasojë e këtyre gjujtjeve, në rrugën “Bajram Bahtiri” një person është plagosur në këmbë, por që gjendja e tij pas trajtimit në QKUK është stabile.


Derisa, nga Policia e Kosovës, këtë rast e kanë cilësuar si vrasje në tentativë, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, thonë se po punojnë për t’i zbuluar rrethanat e rastit.

“Ka autorizuar që të marrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë që të ndriqohen rrethanat pse ka ndodhur ky rast dhe të sigurohet prezenca e të dyshuarve në procedurën penale, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar në QKUK, për ta marr trajtimin e nevojshem mjeksor dhe i njëjti i është marr deklarata personit tjetër të dyshuar edhe ai është intervistuar në stacionin policor, ndërkaq për dy persona të tjerë që ndodhen në arrati, prokuroria në koordinim me policinë e kosovës që të arrihet prezenca e tyre”, ka deklaruar Laureta Ulaj – Zëdhënëse e Prokurorisë në Prishtinë.

Ndërkohë dy të dyshuarit pas intervistimit nga zyrtarët policor ë, janë liruar në procedurë të rregullt.

Sipas raportimeve i plagosuri është V.G, i njohur edhe për organet e rendit për shkak të së kaluarës së tij kriminale, porse për këtë çështje përgjigje nuk ka kthyer Policia.

Për përfshirjen e personave recidivistë në raste të tilla, ish-koloneli i Policisë Rrahman Sylejmani fajëson edhe institucionet.

Sipas Sylejmanit, nga qërimi i hesapeve mes grupeve të tilla, rreziku është i madh që të pësojnë qytetarë që rastësisht kalojnë kah vendi i ngjarjes.

Andaj, thotë se masat ndaj personave me të kaluar kriminale duhet të jenë më të rrepta.
“Mund të pësojë dikush i pafajjshëm aty në afërsi apo ndonjë kalimtar i rastit që ka ndodhur në të shumtën e rasteve të përfundojë dikush që nuk ka kurrfarë lidhje me asnjërin nga grupet ai është rreziku më i madhë”, ka thënë Rrahman Sylejmani – Ish kolonel i Policisë.

Banorët e lagjes ku mbrëmë ndodhi përleshja kanë treguar se gjujtjet me armë janë të shpeshta në këtë anë dhe se kanë kërkuar nga Policia shtim të masave të sigurisë.