Imzot Dodë Gjergji

Imzot Dodë Gjergji: Lutem për të gjithë ata që i kanë humbur të afërmit nga koronavirusi

Kryeipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në fjalimin e tij të mbajtur në meshën qendrore të festës së Krishlindjeve në Katedralen “Shën Nëna Terezë” ka thënë se sfida me COVID-19 sivjet e ka ndryshuar mënyrën e jetesës së njerëzve në të gjithë botën.

“Gjatë këtij viti jemi përballuar me një fenomen të papritur dhe të rrezikshëm që e ka përfshirë gjithë njerëzimin. Nuk janë të paktë ata të cilët kanë humbur betejën me COVID-19, shumë e më shumë janë ata që janë prekur prej tij dhe kanë pasur simptoma të ndryshme, kurse të gjithë jemi përballë me pasojat familjare, shpirtërore, shoqërore dhe ekonomike që i ka shkaktuar kjo pandemi. E gjithë kjo, në një mënyrë ose në një tjetër, e ka ndryshuar sjelljen tonë ndaj më të shenjtës, mënyrën e të jetuarit tonë dhe formën e komunikimit me të tjerët. Çka do të thotë se edhe nëse nuk do të ketë pasoja afatgjata, megjithatë do të mbetet gjatë në kujtesën tonë”.

Ai tha se lutet për të gjtihë ata që i kanë humbur më të dashurit nga koronavirusi.

“Nëpërmjet lutjeve të mia jam munduar të marrë pjesë në dhimbjen e atyre që kanë humbur më të dashurit, në vuajtjen e atyre që janë përballur ose janë duke u përballuar me pasojat e infektimit dhe për gjithë ato gra e burra që si mjekë, infermierë ose në ndonjë përgjegjësi tjetër janë duke u lodhur, sikur thotë populli deri në pikën e fundit vetëm që të shpëtojnë jetët e njerëzve. Sigurisht, pa i përjashtuar të tjerët për të cilët kisha lutet vazhdimisht: ata që vuajnë nga sëmundjet tjera e që përballen me padrejtësitë e botës siç janë: emigrantët, të varurit, të harruarit e të margjinalizuarit”.

Dodë Gjergji theksoi se vetëmjaftueshmëria është gabimi më i madh i njerëzimit.

“Kjo nuk do të thotë se e duam Zotin vetëm kur përballemi me pafuqitë tona, porse në këto rrethana sytë tanë vetvetiu ngriten drejt qiellit, zemrat tona më lehtë hapen ndaj hireve dhe bekimeve hyjnore, arsyetojmë më mirë mbi të shenjtën e të përjetshmen dhe bëhet më e vetëkuptueshme që vetëmjaftueshmëria është gabimi më i madh që e bëjmë ne njerëzit”.

I pari i Kishës Katolike në Kosovë shtoi se paqja, pajtimi dhe besimi në njëri tjetrin është përgjegjësi e vazhdueshme që e do Zoti.

“Në këto fjali shprese të Shkrimit të Shenjtë i ftoj edhe përgjegjësit institucionalë dhe politikë në vend që të rigjejnë urtinë e të parëve, entuziazmin e dikurshëm për liri dhe vullnetin që kishim për paqen, për të rindërtuar besimin dhe për të gjetur paqen e brendshme, pasi paqja, pajtimi dhe besimi në njëri-tjetrin nuk është vetën nevojë e përkohshme e as nuk i takon vetëm një gjenerate, por përgjegjësi e vazhdueshme e secilit prej nesh, që e dëshiron vetë Zoti”.