Imami Osmani Musliu: Njeriu normal s’e shanë Ushtrinë e vet, ata nuk përfaqësojnë Islamin

Kosova ka filluar transformimin e FSK-së në Ushtri. Shoqëria kosovare ju gëzua jashtëzakonisht shumë këtij hapi të rëndësishëm të shtet-ndërtimit.

Por, ka dhe prej atyre që nuk i janë gëzuar kësaj nisme të transformimit i FSK-së në Ushtri, madje kanë shkuar edhe më larg duke e quajtur Ushtrinë e Kosovës si “Ushtri të shejtanit”.

Një faqe në Facebook, “Thirrja Në Islam”, e cila i atribohet Fesë Islame e ka ofenduar Ushtrinë e Kosovës duke etiketuar me terminilogjinë e tyre , raporton Ballkani.info.

Bindjet ekstremiste kanë burime doktrinale që mbështeten në koncepte raciste dhe nxitje të urretjes, kanë stimuluar vazhdimisht gjuhë denigruese kundër çdo gjëje që nuk mendon brenda linjes së tyre radikale.

Imami i Drenasit, Osman Musliu në një prononcim për Ballkani.info tha se këto faqe burojnë nga shoqëritë konspirative dhe që nuk e përfaqësojnë aspak Islamin.

“Këto faqe burojnë nga shoqëritë konspirative, nga shërbimet sekrete të Lindjes dhe Perëndimit dhe nuk e përfaqësojnë Islamin. Asnjë njeri normal nuk e kritikon Ushtrinë e shtetit të vet, kjo është e pakuptueshme. Janë qarqe që duan destabilizimin e Kosovës dhe kontrollojnë faqe të tilla. Këtu ka shumë konspiracion dhe agjenda dhe që nuk përfaqësojnë myslimanët”, tha Musliu.

Më tutje Musliu tha se sikur shteti të reagonte kur ai dhe shokët e tij kritikuan ekstremizmin fetar do të ishte gjendja më e mirë.

“Sikur shteti të reagonte kur unë dhe shokët e mij kritikuam ekstremizmin fetar gjendja do të ishte ndryshe. Shteti duhet të ndërhy sa më shpejt në këto faqë që për qëllim kanë destabilizimin e vendit”, përfundoi Musliu.

Edhe në të kaluarën ka pasur thirrje skandaloze nga rrymat radikale të cilët bazohen në një terminiologji tejet linçuese. /Ballkani.info/