Imami Maliqi: Kemi mbështetjen e Ambasadës Amerikane që të largohet udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla

Imami Labinot Maliqi në një konferencë për medie ka shprehur shqetësimin e tij dhe të komunitetit islam në lidhje me bartjen e shamisë në shkollat e Kosovës. Ai ka folur para medieve rreth Raportit të fundit të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Liritë̈ Fetare në Kosovë.

Imami i xhamisë tek Lagjja e Spitalit në Prishtinë, ka shprehur shqetësimin e tij se si për një dekadë me radhë, ekziston udhëzimi administrativ i cili ndalon bartjen e shamisë në shkollat e Kosovës, duke iu mohuar kështu shumë të rejave në vendin tonë që të privohen nga një e drejtë bazike e tyre.

Maliqi ka theksuar se ka kohë që nga ministra të Arsimit në vendin tonë ka kërkuar që të largohet një ndalës, por se deri më tani ka hasur në vesh të shurdhër.

“Kjo ndalës dhe që figuron në vendim, është bërë më shumë se 1 dekadë, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, ne kemi kërkuar edhe më herët edhe nga ministrat e tjerë, që të largohet kjo ndalës që iu bëhet e padrejtë vajzave, për shkak të shamisë, por fatkeqësisht asnjëri nga ta nuk kanë pranuar që ta largojnë këtë ndalës, që diskriminohen në mënyrë ekstreme besimtarët islam”, tha Maliqi.

Ai ka falënderuar Ambasadën Amerikane në Kosovë dhe departamentin e Shtetit për angazhimin e treguar në lidhje me këtë çështje dhe mbështetjen që i kanë dhënë kauzës së tyre, që vajzat e besimit islam e që duan të bartin shami të mund të shkollohen sikurse të gjitha bashkëmoshataret e tyre.

Maliqi ka kërkuar tutje që në udhëzimin  administrativ të hiqet edhe kufizimi i moshës, sipas tij nga 16 të bëhet në 11, sepse kjo është mosha ku shumica e vajzave në Kosovë hyn në fazë të pjekurisë.

Ai rrjedhimisht ka kërkuar nga ministrja e Arsimit Arberie Nagavci që të marrë hapa konkret duke hequr këtë udhëzim administrativ.

“Ambasada amerikane mbështet kërkesën tonë për largimin e këtij udhëzimi administrativ dhe Zyra e Avokatit të Popullit e mbështet qëndrimin tonë, se kjo është diskriminuese. Ne kërkojmë që kjo të largohet por kufizimi i moshës, deri në moshën 11 vjeçare, fetarisht namazi, shamia, ne kërkojmë nga ministria e Arsimit, nga zonja Nagavci që ta largoj sa më parë këtë ndalës, që i pengon ato të ndjekin mësimin në shkollë. E kanë mundësinë që një padrejtësi prej 1 dekade, të largohet dhe ndalesa të jetë deri në moshën 11 vjet”, tha ai.

Imami Maliqi ka treguar tutje se do ta përcjellin në vazhdimësi këtë çështje dhe presin nga ministrja Nagavci të marrin një përgjigje të duhur e meritore për vajzat kosovare, të cilat duan të arsimohen por edhe të jenë të lira për të vendosur shaminë.