Imami i Drenasit dyshon se ligjërimi në burgje është “politikë” e Tërnavës edhe për një mandat

Gjatë ditës së djeshme Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë vendim që disa imamë të ligjërojnë nëpër burgjet e Kosovës.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), gjatë ditës së djeshme ka marrë vendim që disa imamë të ligjërojnë nëpër burgje të Kosovës.

Sipas BIK-ut, këto ligjërata janë të karakterit edukativ dhe këshillues për atë që qëndrojnë prapa grilave dhe për këtë janë angazhuar 20 imamë dhe dy profesoresha që janë angazhuar në këtë program, duke theksuar se, sidomos të femrat që janë në burgun e Lipjanit është treguar interesim i madh, raporton lajmi.net.

Mirëpo, një vendim i tillë nga BIK-u po cilësohet si i vonuar nga imami i Drenasit, Osman Musliu.

Musliu ka thënë për lajmi.net se, Kryesia e BIK-ut dhe Qeveria e Kosovës do të duhej të ishin më aktive dhe të reagonin me kohë me këtë nismë për të parandaluar përhapjen e radikalizmit dhe ideologjisë vehabiste në vend.

Sipas tij, për shkak të neglizhencës së BIK-ut për t’i parandaluar këto ideologji Kosova ka një imazh do të mirë.

“Kanë pasur obligim të veprojnë në mënyrë konkrete dhe me kohë duke organizua takime të zgjeruara me imamë,  të mos lejojë instalimin e imamëve që bartin dhe përhapin ideologji të tilla, gjë që nuk e bën as sot e kësaj dite, të dalë me kohë me qëndrime të prera dhe argumentuara profesionalisht për këto degradime. Një neglizhencë e tillë e kreut të BIK-ut e ka sjellë situatën këtu ku jemi dhe tani duhet me u marr me pasojat. Si rezultat i kësaj mospune sot kemi një imazh jo të mirë edhe si vend por edhe si komunitet fetarë”, ka thënë Musliu për lajmi.net.

Tutje, sipas tij, pavarësisht se akoma nuk janë barë publike emrat e ligjëruesve të përzgjedhur nga Kryesia e BIK-ut, Musliu thotë se, këta ligjërues duhet të jenë profesionalit të përgatitur dhe më kryesorja sipas tij, duhet të jetë të zhveshur nga çdo lëvizje ideologjike.

“Ata do duhej të jenë së pari profesionalistë të përgatitur dhe të mos jenë pjesëtarë të lëvizjeve ideologjike, e që për fat të keq, të tillë kjo Kryesi ka instaluar nëpër xhamitë e Kosovë numër të konsiderueshëm dhe vazhdon të instalojë. Kjo listë ende nuk është bërë e ditur për ne”, deklaroi Musliu për lajmi.net dhe theksoi se, Kosova ka pasur dhe ka nevojë për një organizim të tillë, por që sipas tij, suksesi varet nga përzgjedhja e kuadrit ligjërues nga ana e BIK-ut.

Musliu ka shprehur dyshimet e tij në lidhje me këtë vendim të Bashkësisë Islame të Kosovës. Sipas tij, pikërisht në këtë kohë marrja e këtij vendimi mund të jetë “politikë” e kreut të këtij institucioni fetar, Naim Tërnavës më qëllim të përfitimit të tij për zgjedhjet e ardhshme në BIK.

“Dyshojmë, se edhe ky vendim i vonuar, në këtë kohë, është në shërbim të këtyre “zgjedhjeve” në BIK e në veçanti si arsyetim i kreut të tanishëm të BIK-ut për të vazhduar mandatin e tij. Por edhe qeveria Kosovës nuk guxon t’i konsideroj imamët sikur njerëz të parëndësishëm në shoqëri ku jetojmë”, ka deklaruar Musliu për lajmi.net.

Kujtojmë se këto ligjërata janë të karakterit edukativ dhe këshillues për ata që qëndrojnë prapa grilave dhe se këto mësime janë edhe për grupin e të burgosurve që kanë qenë pjesë e luftëtarëve në Lindjes e Mesme, dhe për pjesën tjetër që janë në burg për shkak të veprave kriminale që i kanë kryer.