presidenti

Ilir Meta voton: Atdheu mbrohet me votë

Pas votimit, presidenti Ilir Meta dha një prononcim të shkurtër për mediat, nga ku përcolli thirrjen e tij për qytetarët që të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor.

Kryetari i shtetit deklaroi se kjo është një mundësi për shqiptarët për të zgjedhur kandidatët që duan.

“Erdhi kjo ditë e bekuar, e mrekullueshme. Edhe zoti na ka ndihmuar sot që sovrani t’i ketë kushtet sa më të mira për të shprehur vullnetin e tij. Barazinë para ligjit na e garanton vetëm barazia e votës. Çdo qytetar i Shqipërisë sot të votojë i lirë dhe me dinjitet. Në këto zgjedhje është mundsia për të votuar edhe për kandidatin më të mire. I ftoj të gjithë të votojnë të lirë. I ftoj të gjithë që tek ajo alternativë që besojnë, të zgjedhin kandidatët më të ndershëm dhe më me integritet.”

Sa u takon paralajmërimeve të tij se gjatë këtij procesi do të jetë në Durrës dhe Vlorë, Meta dha këtë përgjigje:

“Presidenti ka një agjendë që do të vendoset çdo sekondë, por punën më të rëndësishme sapo e realizova. I ftoj të gjithë të votojnë. Nuk është vetëm detyrim qytetar, por një akt patriotik, mbrojtja e Atdheut, sot Atdheu mbrohet me votë dhe me sjellje të qytetëruar evropiane. Duhet pjesëmarrje masive e popullit të Shqipërisë dhe një mbarëvajtje e këtij procesi për të bindur Evropën për anëtarësimin. Përpara drejt kutive të votimit, votoni për atë që keni në mendje dhe në zemër.”