Ilir Deda zgjohet nga gjumi dimëror: “T’u kqyrë seri”

Deputeti nga radhët e Alternativës, Ilir Deda ka numëruar gjithë ngjarjet që kanë ndodhur në vend gjatë muajit janar, e ka treguar edhe se kush është përgjegjës për to. Të gjitha këto ngjarje, ai ka thënë se “po i kqyrë seri”.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Deda ka përmendur grevën, protestat e punëtorëve, taksën, delegacionin shtetëror, temën për ndarjen e Kosovës dhe “bashkimin e Mitrovicës”.

Përgjegjësnë për shumicën e këtyre ndodhive, deputeti i Alternativës ia ka lënë Presidentit Thaçi. Derisa ka thënë se janari ende nuk ka përfunduar, duke aluduar kështu se mund të ndodhin edhe të tjera ngjarje.

Ky është postimi i plotë i tij:

T’u kqyrë seri:

– Vendin e kaplojnë grevat, si pasojë e përçarjes së PAN-it (SBASHK-u me një pjesë të PDK-së kundër AAK-së);

– Protestojnë ish-punëtorët e KEDS-it, që duhet te protestonin të zyra e Thaçit si përgjegjësi kryesor për privatizimin kriminal të KEDS;

– Protestojnë serbët në Shtërpce kundër hidrocentralit që kush nuk e din pse është ndërtuar në parkun nacional Brezovicë;

– Një deputet i “mazhorancës” e shpallë të vdekur liderin e partisë më të madhe në vend;

– Kalon data e “ultimatumit” amerikan për suspendim të taksës ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, e po atë ditë pason edhe një çnjohje e pavarësisë së Kosovës;

– Thaçi e gënjen delegacionin shtetëror me një dokument të pavërtetë në bisedimet e tij me Vuçiqin, e këta të delegacionit pa kuptim po heshtin;

– Thaçi me Vuçiqin në Davos “bashkëbisedojnë” për ndarje të Kosovës;

– Thaçi mashtron për “bashkimin e Mitrovicës”, duke punuar me vrull për ndarje të Kosovës;

E janari ende nuk ka përfundu.