Ilir Deda: Sot përfundoi edhe roli i Hashim Thaçit në dialogun me Serbinë

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas të cilit Ligji për Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Delegacionit shtetëror janë në tërësi në shpërputhje me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës, ka reaguar deputeti Ilir Deda.

Deda ka thënë që sot përfundoi edhe roli i Hashim Thaçit në dialogun me Serbinë.

“Mbas gati dy viteve u sqarua se nuk mund të ketë më “dialog Presidentësh”. Sot përfundoi edhe roli i Hashim Thaçit në dialogun me Serbinë”, ka shkruar Deda, në profilin e tij në facebook.

Sipas tij, ky vendim e sqaron kush ka mandat të udhëheqë dialogun me Serbinë.

“Vetëm Qeveria dhe Kryeministri kanë të drejtë dhe bazë kushtetuese që të mirren me dialog – pikat 86, 87, 97, 98 dhe 107 të aktvendimit. Ndërsa, Kuvendi e ka mandat, pra obligim, mbikqyrjen e politikës së jashtme dhe sigurisë, do të thotë dialogun me Serbinë – pikat 92 dhe 93 të aktvendimit”, ka përfunduar deputeti./Ballkani.info/