Ilir Deda përfundimisht nuk do të jetë pjesë e asnjë liste zgjedhore

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë që të përfundojë afati i vendosur nga KQZ për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë nga partitë politike, të cilat do të garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ballkani.info ka kontaktuar me zëdhënësin e KQZ-së për të kuptuar nëse ndonjë subjekt politik ka dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
“Deri tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 6 tetorit”, tha Valmir Elezi nga KQZ.
Ballkani.info ka kontaktuar me Ilir Deden, ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, nëse postimi i tij i para disa ditëve ne facebook për moskandidimin për deputet në këto zgjedhje është vendim përfundimtar.

“Në betejën e shkurtëpamësisë politike unë nuk kam çka kërkoj. Kush i fiton 2-3% më pak a më shumë nuk është agjendë shtetndërtuese, por është përpjekje e mbijetesës politike, pa projekt reformues, mbijetësë kjo që tanimë ka arritur kulmet e hipokrizisë. (…) Edhe pse më është ofruar hapësirë në disa lista zgjedhore – dhe i falenderoj të gjithë ata që u munduan të më bindin të bashkohemi – unë nuk dua të punoj kundër bindjeve të mia. Kjo nuk do të thotë që do ta përfundoj angazhimin tim publik, si qytetar dhe aktivist politik. Thjeshtë, refuzoj të bëhem pjesë e “lojës” ku rezultati i kërkuar – ndryshimi thelbësor që e dua – nuk besoj që do të arrihet në zgjedhjet e radhës. Dhe, rrjedhimisht nuk shoh vlerë që të marr pjesë në to”, kishte shkruar Deda në profilin e tij në facebook më 31 korrik.

Deda tha se me atë postim i kam sqaruar të gjitha.

Më 6 tetor do të jetë hera e shtatë që në Kosovë mbahen zgjedhjet e lira parlamentare. Legjislatura e gjashtë u shpërnda në seancën e jashtëzakonshme të 22 gushtit, e cila u planifikua pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga pozita e Kryministrit, pasi u ftua për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë. /Ballkani.info/

loading…