Ilaçet e zakonshme e rrisin deri 50 për qind rrezikun nga demenca

Sipas një studimi të publikuar në hënën në revistën “JAMA Internal Medicine”, ilaçet që rekomandohen shpesh nga mjekët për probleme të ndryshme shëndetësore, përfshirë ilaçet kundër depresionit dhe epilepsisë, mund ta shtojnë dukshëm rrezikun nga demenca.

Në këtë studim thuhet se rreziku për të vuajtur nga demenca shtohet deri në 50 për qind te pacientët që përdorin më shumë se 1100 doza të barnave antikolinergjike brenda një periudhe prej dhjetë vjetësh.

“Ky studim është i rëndësishëm, sepse i përforcon dëshmitë e trupit se ilaçet me efekt të fortë kanë ndërlidhje afatgjate me rrezikun nga demenca”, tha Carol Coupland, profesoreshë e statistikave mjekësore në mjekësinë primare në Universitetin e Nottinghamit të Britanisë së Madhe.

“Hulumtimi tregon gjithashtu se cilat lloje të barnave kanë më shumë ndërlidhje me rrezikun nga demenca. Këto janë të dhëna të rëndësishme për mjekët, të cilët duhet të mendojnë më mirë para se t’i përshkruajnë ato për pacientët”, shtoi ajo.

Coupland tha se njerëzit që i përdorin këto ilaçe nuk duhet ta ndërpresin marrjen e tyre menjëherë pa u këshilluar nga mjeku personal, sepse një hap i tillë mund të jetë i dëmshëm për shëndetin e tyre.

Në këtë studim u përfshinë të dhënat e mbi 284 mijë personave më të vjetër se 55 vjeç në Britani të Madhe