IKSHPK: Në Kosovë nuk ka koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për gjashtë raste të dyshimta në COVID-19. 

Siç njofton IKSHPK, pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influencë A dhe B.

“Me datë 27.02.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjashtë pacientë. Në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B dhe kanë rezultuar negative në të tri analizat, domethënë të gjashtë pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 dhe Influencë A dhe B”, thotë IKSHPK.

Sipas IKSHPK-së, nga data 01.02.2020 deri me 27.02.2020 nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare, janë depistuar gjithsej 535 udhëtarë. Nga Aeroporti Adem Jashari” 172 udhëtarë, Vërmicë 240, Merdare 87 dhe Dheu i Bardhë 14 udhëtarë.

Sot me 27.02.2020, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ekipet mjekësore të Aeroportit bashkë me QKMF-Lipjan, Drenas dhe Fushë Kosovë të mbështetur nga ekipi i IKSHPK-së kanë kontrolluar 157 udhëtarët e ardhur nga Verona e Italisë, sipas protokolleve të OBSH-së dhe ECDC.

Nga data 08.02 deri me 27.02.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën rRT-PCR, janë testuar gjithsej 23 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.