“Ikja” nga zona e kuqe, për 2 javë mbi 120.000 kosovarë vizituan Shqipërinë e Maqedoninë

Që nga hyrja në fuqi e masave të reja anti-Covid të Qeverisë, janë shtuar lëvizjet e qytetarëve drejt vendeve fqinje, kufijtë më të cilat mbesin të hapur.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet më të frekuentuara.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, përmes pikës kufitare të Vërmicës, 95 mijë e 34 qytetarë kanë shkuar në Shqipëri, prej 1 nëntorit deri më 15 nëntor.

Ndërkohë gjatë së njëjtës periudhë, në Maqedoni të Veriut kanë udhëtuar 31 mijë e 491 kosovarë. Krahasuar me këto shifra, lëvizjet e qytetarëve në këto dy shtete në muajin tetor ishin dukshëm më të pakta, raporton KOHA.

Gjatë 31 ditëve të tetorit, Shqipërinë e kishin vizituar 120 mijë e 754 qytetarë, kurse Maqedoninë e Veriut, 63 mijë e 678. Por, përkundër rritjes së lakores së infeksionit në vend, ekzekutivi kosovar ka bërë të ditur se nuk planifikon mbylljen e kufijve në një të ardhme të afërt.

Në një përgjigje për KOHËN nga Ministria e Shëndetësisë, është thënë se as Kosova, por as shtetet e rajonit nuk kanë vendosur masa për mbylljen e kufijve. Megjithatë, si thuhet në vazhdim, do të veprohet varësisht nga rekomandimet e IKSHPK-së.

“As Kosova, dhe as shtetet ne rajon nuk kane vendosur këtyre ditëve ndonjë mase qe nënkupton mbylljen e kufijve. MSh vendos për masa sipas rekomandimeve që japin ekspertet, përkatësisht IKSHPK dhe institucionet e tjera relevante. Thirrja mbetet që të respektohen masat ne fuqi”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Se nuk do të ketë mbyllje totale e ka konfirmuar të martën ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, teksa po diskutohej në Kuvend për gjendjen me pandeminë.

“Asnjëherë nuk e mendojmë mbylljen e tërësishme si më parë. Nuk guxojmë të ndalim jetën me mbyllje, jo shtet i mbyllur, jo biznese të mbyllura, por të hapur me zbatim rigoroz të masave. Menaxhimi i pandemisë me qytetar të mbyllur është shumë i lehtë, por ne nuk mund të kthehemi në pikën zero. Pra të hapur, por të kontrolluar”, ka thënë Zemaj.

Ndërkaq, arsye të ndryshme po i shtyjnë qytetarët që të udhëtojnë në kohën kur fluksi i infeksionit është rritur.

“Po duhet me u rujt shumë. Sot patjetër po shkojmë se jemi me pumë dhe po duhet me hongër e me pi”, ka thënë Fadik Bytyqi.

Përpos në Kosovë, numri i të vdekurve dhe të infektuarve me koronavirus është rritur dukshëm edhe vendet e rajonit.

Në Shqipëri aktualisht janë rreth 15 mijë raste aktive, kurse në Maqedoninë Veriore rreth 19 mijë.