Ikja e qytetarëve, bizneset rrezikojnë të shuhen

Asnjëherë më parë shteti i Kosovës nuk është zbrazur sikur tani. KMDLNJ ka alarmuar se vendin po e braktisin edhe qytetarët me kushte të mira ekonomike. Ekonomistët tregojnë arsyet dhe paralajmërojnë pasojat për ekonominë e vendit.

Kanë mbushur valixhet dhe po nisen për kurbet.

Shumë nga këta qytetarë synojnë Perëndimin për një jetesë më të mirë.

Por Kosova tashmë po braktiset edhe nga qytetarët që qëndrojnë mirë ekonomikisht.

“Përkundër të gjitha këtyre pengesave, asnjëherë nuk ka qenë më i madh numri i qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën sikur që po ndodhë tani. Më herët arsye për largim nga Kosova ishte gjendja e rënduar ekonomike ndërsa tani Kosovën po e lënë edhe ata me gjendje të mirë materiale”, thuhet në një reagim të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

KMDLNJ vlerëson se pas liberalizimit, vendi do të ballafaqohet me mungesë të punëtorëve.

“Në Kosovë, pas 1 janarit 2024 do të ketë mungesë të madhe të punëtorëve vendin e të cilëve po e zënë punëtorë të importuar nga shtetet aziatike apo të Afrikës por të cilët Kosovën e shfrytëzojnë vetëm si një mundësi për t’u larguar në shtetet evropiane”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Ekonomistët theksojnë se një prej arsyeve të ikjes së punëtorëve vendës është trajtimi jo i duhur nga punëdhënësit.

“Më skandalozja është që tani për tani kur flasim, këto biznese të cilat nuk i kanë trajtuar siç duhet punëtorët vendorë, tash ka informata që po trajtohen edhe nga ana e vendbanimit dhe me paga më të dinjitetshme”, tha ekonomisti, Mustafë Kadriaj.

Ekspertët e ekonomisë alarmojnë se shumë biznese rrezikojnë të shuhen vitin e ardhshëm.

Në bazë të të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ndërmjet viteve 2013-2022, nga Kosova janë larguar 252 mijë qytetarë.