Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski i ka ikur ligjit në Maqedoni. Ishin ngritur akuza kundër tij dhe u dënua me dy vite burgim. Por, Gruevski iku nga Maqedonia në momentin kur policia e Maqedonisë po e kërkonte.

Ish-kryeministri u lajmërua publikisht se ndodhet në Hungari, ku ka kërkuar azil politik.

Ballkani.info ka kontaktuar me njohësin e çështjeve politike në Maqedoni, Iljasa Saliu i cili tha se ikja e Gruevskit është edhe dështim i Qeverisë së Zaevit.

“Suksesin dhe karakterin e tij, Gruevski e tregoi mirëfilli më 13 nëntor. 10 vjet kishte pushtet, pothuajse absolut dhe Maqedoninë e bëri vend të pajetueshëm, fillimisht për vete. Arratisja e tij është edhe një dështim i madh i qeverisë së Zaevit. Atij që më së paku do të duhej t’i besohej, kjo qeveri i besoi dhe ja u iku dhe shkoi në strehën e bashkëmendimtarit të tij, Orban”, tha Saliu.

Hungaria udhëhiqet nga djathtisti, kryeministri, Viktor Orban i cili pritet ka rehabilitoi Gruevskin e arratisur. /Ballkani.info/