Ikja e Avokates së Shtetit përplas Ramën me PD-në

Këtë të mërkurë, në sallën e mbledhjeve në Komisionin e ligjeve, të gjithë prisnin të shihnin Alma Hickën, Avokaten e Shtetit në një diskutim për nismën ligjore nga një deputet i majtë lidhur me Avokaturën e Shtetit.

Por diskutimin e kryesoi, Artur Metani.

Aty u mësua se Alma Hiçka nuk ishte më në këtë detyrë, dhe se në vend të saj, kryeministri Edi Rama kishte emëruar avokatin e ri të Shtetit, Artur Metani. Mediat menjëherë folën për një shkarkim të Alma Hiçëks, por nuk vonoi shumë dhe përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ju kthye “kazanit” siç ai quan mediat.

“Kazanët po ziejnë një broçkull për “shkarkimin” e Alma Hickës. Në fakt Alma u largua me dëshirën e saj, për arsye krejt personale e për gjithë keqardhjen time që e konsideroj një Avokate të shkëlqyer të Shtetit. Me neveri për kazanët i them Almës mos u mërzit e paç vetëm sukses” – shkruan Edi Rama.

Rolin e avokatit të shtetit tashmë do ta mbajë Artur Metani, i cili u propozua nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe u emërua sot nga Kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë, Partia Demokratike sheh tjetër skenar pas kësaj lëvizjeje.

Deputeti Enkeleid Alibeja, thotë se kryeministri Edi Rama do ta çojë Hiçkën këshilltare në GJykatën e Lartë, për tu bërë më tej anëtarë e këtij institucioni të drejtësisë.

” Për herë të parë Edi Rama thotë të vërtetën! Ai nuk e ka shkarkuar Alma Hickën. Edi Rama do ta çojë avokaten e korrupsionit të tij, këshilltare në Gjykatën e Lartë, me qëllim për ta bërë anëtare të Gjykatës së Lartë. Me vetingun e partisë dhe me votën e krimit në parlament, reforma në drejtësi është që tani e kompromentuar!”, – shkruan Alibeaj në rrjetin social Facebook.