IKD

IKD dorëzon padi ndaj KPK-së, kërkon anulimin e vendimit për avancimin e nëntë prokurorëve

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), për inicimin e konfliktit administrativ për anulimin e vendimit të KPK-së të datës 7 maj 2024 për avancimin e nëntë prokurorëve specialë, me kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi deri në nxjerrjen e një vendimi gjyqësor.

Sipas IKD-së, Komisioni që kishte vendosur për avancimin e prokurorëve ishte në kundërshtim me Rregulloren, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në padinë e IKD-së, thuhet se KPK kishte formuar Komisionin për avancimin e prokurorëve specialë në kundërshtim me vetë Rregulloren që KPK e ka miratuar, e që në nenin e saj të 19-të e sqaron atë përbërje.

Sipas padisë, thuhet se në Komision për avancimin e prokurorëve specialë nga KPK ishin emëruar Besim Kelmendi-kryesues, Arian Gashi dhe Merita Bina-Rugova, anëtarë të këtij komisioni.

Në padi theksohet se neni 19-të i Rregullores për transferimin dhe avancimin e prokurorëve thotë se komisioni duhet të ketë këtë përbërje: Kryeprokurori i Shtetit-kryesues, një anëtar nga radhët e KPK-së dhe një anëtar prokuror nga Prokuroria e Apelit.

“2. Komisioni përbëhet nga tre (3) anëtarë, si në vijim:

Kryeprokurori i Shtetit, i cili do të jetë kryesues,

një anëtar nga radhët e anëtarëve të Këshillit dhe

një prokuror nga Prokuroria e Apelit”, përcaktohet në Rregullore.

Andaj, sipas IKD-së pikërisht pozita e anëtares Merita Bina-Rugova si prokurore speciale dhe pozita e Arian Gashit si anëtar i KPK-së janë në kundërshtim me Rregulloren në fjalë.

Gjithnjë sipas padisë, thuhet se anëtarja e Komisionit për avancim Merita Bina-Rugova del se ka qenë pa mandat si anëtare e KPK pasi që mandati i saj në KPK del se ka përfunduar më 27 mars, ndërkaq raporti i këtij Komisioni për avancim është miratuar më 7 maj nga vetë KPK.

Dhe po ashtu, në vendimin për emërimin e saj si anëtare e Komisionit, ajo shënohet si prokurore speciale ani pse Rregullorja nuk parasheh se anëtar i Komisionit duhet të jetë nga radhët e Prokurorisë Speciale.

Gjithnjë sipas padisë, thuhet se Arian Gashi është prokuror në Prokurorinë e Apelit, megjithatë ai në Komision ka qenë i emëruar si anëtar nga radhët e KPK-së dhe jo nga Prokuroria e Apelit.

“Edhe nëse merret argumenti se z.Gashi në këtë komision përfaqësonte Prokurorinë e Apelit, atëherë i bie se në këtë komision, mungonte përfaqësuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës”, thuhet në padi.

Sipas kësaj padie, IKD ka sqaruar se nuk është duke u kontestuar nevoja për transferimin e prokurorëve në Prokurori Speciale dhe as emrat e përveçëm, por ajo çka kontestohet në këtë padi sipas IKD është procedura e ndjekur konkretisht përbërja e komisionit.

“Në rastin konkret, me këtë padi, nuk kontestohet nevoja për transferimin e prokurorëve në PSRK dhe as emrat e përveçëm të atyre që janë avancuar nga prokurorë të shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Ajo që kontestohet me këtë padi, është procedura e ndjekur, përkatësisht përbërja e komisionit, i cili ka vendosur për avancimin e të njëjtëve”, thuhet në padi.

Gjithashtu, me këtë padi është bërë edhe kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të KPK-së deri në vendosjen meritore të çështjes kryesore sipas konfliktit administrativ, me arsyetimin se prokurorët e avancuar pritet të fillojnë punën më 1 qershor dhe në rast se ngarkohen me lëndë atëherë të gjitha veprimet do të llogariten të kundërligjshme.

Po ashtu, IKD sqaron se përmes kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të KPK-ssë mbrohet interesi publik dhe nëse vendoset në të kundërtën atëherë ky interes do të cenohet seriozisht.

Dhe se shtyrja e ekzekutimit të vendimit thuhet se nuk krijon dëm për sistemin prokurorial pasi që Prokuroria Speciale sipas padisë thuhet se edhe me këtë numër aktual të prokurorëve po funksionin normalisht.