Ferit Idrizi

Idrizi: Bunjaku ra në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se rreshteri policor Afrim Bunjaku ka rënë të dielën në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës.

Idrizi ka folur për media pasi ka vizituar familjen e policit të ndjerë Bunjaku, që vdiq gjatë një sulmi të dielën në afërsi të fshatit Banjskë.

“Tash sa vizituam familjen Bunjaku, familjen e togerit Afrim Bunjaku që ra në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Është rast shumë i rëndë, i prekshëm. Familja normalisht se e ka mërzinë, por e ka edhe forcën e shpirtit sepse janë të vetëdijshëm se sovraniteti i vendit mbrohet në çdo mënyrë. E në këtë rast mbrohet me gjak. Situata është e paqëndrueshme e tensionuar që nuk mundemi me parashiku, por çkado që të jetë, jemi këtu në vendin tonë, shtëpinë tonë, do t’i dalim zot vendit”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.