Janë identifikuar mbetjet mortore e tre viktimave të luftës Bali Pajazit Gashi, Fadil Shaban Elezaj dhe Masar Ymer Dushi, të cilët ishin në Listën e Personave të Zhdukur dhe u identifikuan së fundmi përmes analizës shkencore të ADN-së.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se mbetjet e tyre mortore janë zhvarrosur nga varreza masive në Bishtazhin.
Sipas njoftimit rivarrimi do të bëhet nesër, më 27 shkurt 2026, në Klinë, sipas kërkesës së familjarëve.
Ceremonia e rivarrimit organizohet nga Komuna e Klinës, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u ka shprehur ngushëllime familjeve dhe riafirmon përkushtimin për vazhdimin e përpjekjeve në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë”, bëhet e ditur në njoftim.







