Identifikohen mbi 2.000 aplikacione të rrezikshme në Google Play Store

Hulumtimi i kryer gjatë dy vjetëve zbuloi se madje 2.040 aplikacione në Google Play Store ishin malinje në njëfarë mënyre. Disa kanë nevojë për një numër të dyshimtë të lejeve për qasje në informata të ndryshme, ndërsa të tjerat janë një malware klasik. Hulumtimi u krye nga Universiteti në Sydney dhe Data61 i CSIR-së, raporton ComputerWorld.

Hulumtimi i përfshiu rreth një milion aplikacione në Google Play Store, ndërsa janë gjetur një numër i madh i aplikacioneve të rrejshme pa malware, të cilat gjithsesi kërkonin qasje në një numër të madh të të dhënave. Disa nga aplikacionet janë të njohura, duke përfshirë Hill Climb Racing ose Temple Run.

Për t’i procesuar të një milion aplikacionet, hulumtuesit i përdorën teknologjitë “neural networks” dhe “machine learning”. Algoritmet u konfiguruan ashtu që të kërkojnë përshkrime të ngjashme të tekstit dhe ikona vizuale të ngjashme me 10.000 aplikacionet më të popullarizuara në Store. Algoritmi i zbuloi 49.608 kërcënime të mundshme.

Me ndihmën e veglës VirusTotal, 7.246 aplikacione u karakterizuan si malinje, ndërsa prej tyre 2.040 aplikacione u karakterizuan si të rrejshme ose shumë të rrezikshme.

Aplikacionet që ishin objekt i hulumtimit dhe që u identifikuan si të rrezikshme tashmë janë mënjanuar nga kompania Google. Kompania njoftoi gjithashtu se është rritur numri i aplikacioneve të refuzuara, të cilat tani janë 55% më shumë se një vit më parë, ndërsa pezullimi i aplikacioneve është rritur në 66%.

loading…