Idenë e Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës, ia përkrahin Thaçi e Veseli

Kryetari i Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri gjatë ditës së sotme peticionin e qytetarëve të Mitrovicës për bashkimin e qytetit, ia ka dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaçit.

Pas takimit me Thaçin, Bahtiri ka folur për media ku ka theksuar se të njejtin peticion do t’ua përcjellë të gjitha grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

“Çfarë po kërkojmë është e drejtë e jona, e drejtë e qytetarëve tanë. Nga Mitrovica veriore deri më tani janë shpërngulur rreth 15 mijë qytetarë, janë bërë refugjat në qytetin e tyre andaj kërkesa e jonë është e drejtë legjitime. Veriu i vendit po udhëheqet nga struktura paralele dhe kjo nuk duhet të lejohet nga shteti jonë”, ka thënë Bahtiri, përcjell Ballkani.info.

Tutje, Bahtiri ka thënë se deri më tani ata janë të zhgënjyer nga institucionet e vendit për vonimin e këtij procesi.

Në fund, Bahtiri ka thënë se kërkesa e tij është përkrahur që nga fillimi nga presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli ndërsa i vetmi që nuk e ka përkrahur ka qenë kryeministri Haradinaj.

“Së shpejti, kërkesa jonë shpresoj të dërgohet edhe në Kuvend, e aty mund të shohim cili deputet nuk do ta votojë bashkimin e Mitrovicës”, ka përfunduar Bahtiri.

Kujtojmë se Ministria e Pushtetit Lokal e kishte quajtur iniciativën e Bahtirit si jo legjitime. /Ballkani.info