Ibrahimovic: Unë jam babagjyshi, u sjell dhurata 27 fëmijëve të mi

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, e festoi sezonin e festave në stilin e vet, derisa foli për karakterin e vet dhe sezonin mbresëlënës deri tani.

Suedezi 39-vjeçar e shpjegoi rolin e tij në familje dhe në skuadrën e Milanit.

“Unë jam babagjyshi, jam unë ai i cili u sjell dhurata të gjithë 27 fëmijëve të mi: dy janë në Suedi dhe 25 të tjerët në Milanello”, tha Ibrahimovic në një intervistë për SportWeek.

“Këtë vit kemi marrë shumë lëvdata për atë që e kemi bërë dhe që po e bëjmë. Nuk e di nëse është arritur falë meje, por unë kam bërë diçka, i kam sjellë diçka skuadrës”.

“Kur erdha këtu janarin e kaluar, Milani ishte i 12-ti, tani jemi në krye dhe po dëshmojmë se jemi pjesë e elitës dhe tani duhet të vazhdojmë kështu”, shtoi ai.

Ibra foli edhe për karakterin e vet, i cili e dallon shumë nga të tjerët.

“Unë jam egocentrik, nëse nuk do ta vendosja veten para çdo gjëje, nuk do të isha këtu. Ekziston vetëm një Ibra, apo jo? Unë”.