Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se është bërë shkelje në kompetencat e komunave, pasi që niveli qendror nuk ka të drejtë t’i tregojë komunës se sa duhet t’ia japë pronën dikujt në shfrytëzim.

Ibrahimi, ka thënë se ka qenë kërkesë eksplicite Elbert Krasnqit, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, që vendimi komunal për dhënien e pronës në shfrytëzim për 99 vjet të ndryshohet.

“Ka qenë një kërkesë eksplicite e ministrit Krasniqi që vendimi i Kuvendit Komunal për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për 99 vjet të ndryshohet dhe gjithashtu ka shkuar edhe aq larg e në detaje sa i tregon edhe se si mund të ndryshohet ai vendim. Është bërë një shkelje në kompetencat e komunave bazuar në legjislacionin në fuqi niveli qendror nuk ka të drejtë t’i drejtohet komunës dhe t’i tregojë se a duhet t’ja japë dikujt në shfrytëzim pronën komunale për 99 apo 10-15 vjet”, tha Ibrahimi, në InfoMagazine.

Ai tutje, ka treguar se, edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar një analizë nga AKK rreth asaj se a ka shkelje nga niveli qendror në kompetencat e komunave.

“Sot nga kabineti i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, është kërkuar një analizë nga Asociacioni i Komunave të Kosovës rreth asaj se a ka shkelje nga niveli qendror në kompetencat e komunave në një shkresë e cila është drejtuar nga ministri, Elbert Krasniqi, drejt Ramës”.

“Ne kemi konstatuar që në momentin që një ministër e shfrytëzon të drejtën e vet për t’i kërkuan një kryetari të komunës ndryshimin e vendimit e edhe i tregon se si ta bëjë ndryshimin – ka bërë shkelje”.