Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia dhe shefi i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark i kanë shkuar në zyrë Kryeministrit Albin Kurti. Mirëpo zyra e Kryeministrit në një komunikatë për medie ka njoftuar se Kurti ka pritur në takim ish-komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári.

ZKM ka njoftuar se “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári dhe Shefin e EULEX-it, z. Lars Gunnar Wigemark”.

Sipas një komunikate për media të Qeverisë thuhet se në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë. U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.

“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Siaps Qeverisë,gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

“U theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.

Zyra e Kryeministrit më pas ka dërguar një komunikatë tjetër me emrin e përmirësuar të Komandantit të ri të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.