Dy punonjës ukrainas të hekurudhave, Ruslan Arystarkhov dhe Artem Kiseliov, i kanë kapur dy ushtarë rusë dhe një transportues të blinduar të personelit APC, i cili po lëvizte në rajonin Sumy.
Pasi e kishin kontrolluar hekurudhën, dy punonjësit po i verifikonin dëmet e shkaktuara nga bombardimet në shinat pranë stacioneve të mallrave Basy dhe Sumy. Papritur, sipas mediave ukrainase, ata panë një APC ruse në rrugë, duke iu afruar stacionit të trenit, kur një nga ushtarët rusë kishte dalë duke kërkuar prej tyre informacionet rreth rrugës.
Dy punonjësit e hekurudhave, Ruslan Arystarkhov dhe Artem Kiseliov, i kishin keqinformuar ushtarët rusë, duke i çuar në një rrugë pa dalje, ku me pas i kishin bllokuar dhe thirrur Njësinë e Mbrojtjes Territoriale, deri dy rusë të tjerë kishin arritur të arratiseshin.
“Ukrzaliznytsia”, kompania e transportit hekurudhor të Ukrainës, ka njoftuar se Ruslan dhe Artem do të marrin një shpërblim të duhur për aktin e tyre të guximit.
Në anën tjetër, edhe agjencia shtetërore e rrugëve Ukravtodor, ka bërë thirrje për “të gjitha organizatat rrugore, komunitetet territoriale, qeveritë lokale që të fillojnë menjëherë çmontimin e shenjave rrugore aty pranë”.
Po ashtu, edhe bashkitë lokale u kanë kërkuar banorëve që t’i bllokojnë automjetet ushtarake ruse me çfarëdo mënyre.
Ukrainasit, sipas mediave vendore, po përdorin vinça për të lëvizur blloqet e çimentos në rrugët kryesore, derisa qytetarët e thjeshtë po vendosin thasë me rërë për të bllokuar rrugët.
Besimi i Putinit se ukrainasit do ta përshëndesnin ushtrinë e tij me bukë e kripë tradicionale ose do të shkonin në shtëpi dhe nuk do të bënin asgjë përballë agresionit ushtarak, sipas mediave ukrainase, mund të jetë gabimi i tij më i madh.







