I vetëm u përball me ujkun, flet trimi nga Krusha e Madhe

Enver Hoti, është qytetari që u përball me një ujk gjatë kohës që po lëvronte në arën e tij që gjendet në mes fshatrave Krushë e Nagavc.

Kjo tokë është planifikuar të mbillet me misër por puna mbeti në gjysmë, e krejt kjo për arsyet që tregon Hoti.

Nga gjithë kjo ngjarje ky banor u shqetësua shumë, megjithatë shpëtoi pa lëndime.

“Kur jam ardhë teposhtë, e kam pa ujkun atje nalt e unë e kam vazhdu punën. Kur jam kthy herën tjetër, ujku eci poshtë e unë jam kthyer në gjysë të arës dhe kam vazhdu me e ndjekë. Kur mbërriva në rrafsh, ai m’u gjuajt në traktor”, rrëfen Hoti.

Për këtë ndodhi u informua edhe drejtori i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku i cili bëri të ditur se janë angazhuar ekipet përkatëse.

Nga Komuna e Rahovecit u bë e ditur se më herët nuk kanë pasur rastet të tilla.