I vdes babai, xhaxhai ia merr hisen

Bashkë me lajmin se i vdiq prindi, Afërdita Statovci u përball edhe me një situatë tjetër; ajo u përjashtua bashkë me nënën e saj nga shtëpia ku dikur jetonte me babain.

Kur Afërdita arriti moshën madhore, filloi të kërkojë drejtësi për pronën që i takonte babait të saj. Megjithatë ky proces është stërzgjatur, duke u kthyer në rigjykim për katër herë.

Ishte viti 2006, kur Afërdita Statovci vendosi që të kërkonte ndihmë ligjore, për ta marrë në emrin e saj, pronën e babait i cili kishte vdekur.

“Në moshën 10 vjeçare më ka vdekë babai, prej asaj kohe më ka dëbuar prej shtëpisë…në vitin 2006 e kam bërë një padi kanë kaluar tri vite pastaj kam marrë një vendim të formës së prerë të cilin e kanë bartë pronën në emrin tim”, shprehet Afërdita Statovci.

Por sot e asaj dite, këtij procesi gjyqësor nuk po i vie fundi. Pas tri vitesh, Gjykata kishte vendosur me vendim të formës së prerë që kjo pronë të bartet në emrin e Afërditës.

Mirëpo i njëjti rast nuk përfundoi me kaq. Rasti u kthye në rigjykim, për të katërtën herë gjatë vitit 2019. Një zgjatje e tillë, po cilësohet si e paarsyeshme nga Afërdita Statovci, pasi që po i nxjerr telashe në secilin aspekt të jetës.

Mirëpo nga familja e Statovcit, po thonë se ata i kanë ofruar 1/6 e pronës. Mirëpo sipas tyre, Afërdita nuk po pranon diçka të tillë.

“Ia kena ofru të babës së saj ligjërisht 1/6 i kemi tanë kur dush t’japim ajo po e lyp përgjysmë e kanë bërë motrat e babës të saj e kanë kthy në rigjykim “, shprehet djali i axhës së Afërditës, Muharrem Haxhijaj.

Se ky rast ka kaluar sërish në rigjykim e kanë konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit.

“Gjykata e Apelit ka vendosur lidhur më këtë lëndë më 02.05.2019. Sa i përket arsyeve ato janë dhënë në mënyrë të çartë dhe të thuktë, në pjesën arsyetuese të vendimit, e që kryesisht lidhen për shkak të metave të natyrës procedurale, që kjo gjykatë nuk ka mundur t’i evitoj” thuhet në përgjigjen e tyre për t7.

E një stërzgjatje e tillë, po vlerësohet si e panevojshme nga avokati i Afërditës, Anton Nrecaj.

“Në praktikë sipas kornizës ligjore një rast nuk mund të kthehet katër herë në rigjykim është dashur të vendosë ta përfundoj procesin gjyqësor që është viti” shprehet Nrecaj.

Sipas tij, Afërditës i takon ½ e pronës për të cilën bëhet fjalë.