I vazhdohet edhe për dy muaj arrest shtëpiak ish-policit serb, Dejan Pantiq

Ish-policit serb Dejan Pantiq i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak prej dy muajsh i cili është dyshuar për sulm ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri. 

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Sipas saj, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e paraburgimit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurit D.P, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P, ashtu që masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 muaj”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Dejan Pantiq u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimet se ka sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe të Komisionit Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Pas arrestimit të tij, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat e lidhin Kosovën me Serbinë.