I tha ta ndërpriste lojën “Fortnite”, australiani e sulmon të dashurën

Një person nga Sydney i Australisë është akuzuar nga gjykata sepse e ka sulmuar një vajzë që mendohet se është e dashura e saj, përderisa ishte duke e luajtur lojën e famshme “Fortnite” dhe po e incizonte veten drejtpërdrejt me video.

26-vjeçari u arrestua pasi dikush e pa videon e drejtpërdrejtë dhe e lajmëroi policinë. Në video që u përhap shumë në rrjetet sociale, dëgjohet një vajzë duke bërtitur me zë të lartë. Në shtëpi besohet se kanë qenë edhe dy fëmijë. Sulmuesi po e incizonte veten drejtpërdrejt në platformën “Twitch” përderisa po luante në “Fortnite”. Ai dëgjohet duke bërtitur “Thashë se do të dal jashtë së shpejti”.

Më pas, ai largohet nga kompjuteri dhe vajza dëgjohet duke thënë “më godite në fytyrë”. Mediet australiane e kanë identifikuar vajzën, duke thënë se ajo është një 21-vjeçare. Ajo iu drejtohet personave që po e shikonin transmetimin e drejtpërdrejtë dhe i pyet: “A e dëgjuat edhe ju?”.

Policia tha se vajza nuk është lënduar seriozisht, por ka qenë më tepër e tronditur emocionalisht. Ata konfirmuan se dy vajza të vogla kanë qenë në shtëpi në kohën kur ndodhi incidenti, shkruan “BBC”.