Në konferencën për ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kishte një debat midis avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson dhe kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, pasi ky i fundit i tha se Emmerson është duke e ofenduar dhe fyer Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky debat erdhi pas diskutimeve për afatin kohor kur parashihet që Prokuroria ta kryejë çështjen.

Fillimisht, Emmerson bëri parashtrimet e veta lidhur me afatin kohor se kur mendohet që ZPS-ja të kryejë çështjen e saj, për çka ai tha se është e padrejtë të fajësohet mbrojtja për mosefikasitetin e Prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mbrojtja po e bën të pamundurën në kohë të mjaftueshme paraprakisht, por kjo është kombinuar me momentin që marrim informacionin për dëshmitarët. Po, ne duhet të marrim shënimin përgatitor dhe atëherë mund të themi se sa kohë na nevojitet realisht. Ne këtë vendim mund ta marrim kur dëgjojmë pyetjet, të shohim se çfarë del gatë pyetjeve dhe duhet të përgatitemi. Ndonjëherë disa nga aspektet e trajtuara nga Mishetiq, ndonjëherë është çështje përkthimi, por është e pamundur që të pritet që ekipet e mbrojtjes të reduktojnë kohën për kundërpyetjet në bazë të asaj që thotë ekipi tjetër i mbrojtjes. Kjo është e padrejtë dhe është e padrejtë që të fajësohemi ne për mungesën e efikasitetit të tyre sepse kur përfundon dëshmitari është detyra e Prokurorisë…”, tha Emmerson.

Pas kësaj, ndërhyri Smith, i cili tha se nuk janë aty për të ofenduar persona pasi sipas tij Emmersoni po ofendon, gjë të cilën e mohoi ky i fundit.

Më pas, Emmerson tha se parashikimi fillestar që ZPS-ja ka paraparë që ta mbarojë çështjen në prillin e vitit 2025 sipas tij nuk do të respektohet kurrsesi.

“Ose të bëjë edhe parashikimet paraprakisht. Unë ua kam thënë që në fillim, ky është problem kohor dhe kjo vjen për shkak të Prokurorisë, por çështja është kjo; pavarësisht shkurtimit të vogël që ka bërë Prokuroria, kanë ngelur të paktën 101 dëshmitarë që duhet thirrur në gjykatë dhe deri tani për një vit kemi bërë vetëm 66 dëshmitarë. Ky është qëndrimi ynë dhe ne e kemi kuptuar kështu që ju ia kishit bërë të qartë Prokurorisë që të ishin të kujdesshëm sepse vetëm dy vjet kishin në dispozicion për paraqitjen e provave të tyre dhe tani i bie përgjegjësia mbrojtjes dhe jemi në një situatë ne që është e qartë që ky parashikim kohor fillestar nuk do të respektohet kurrsesi qoftë tani për faj të mbrojtjes, për faj të Prokurorisë ose për faj të dyja palëve”, tha ai.

Duke diskutuar lidhur me këtë çështje, trupi gjykues i tha Emmersonit që nuk po ua hedh askush tërësisht fajin mbrojtjes, duke ia tërhequr edhe vërejtjen që përpara së t’ia hedh fajin dikujt ta japë qëndrimin e tij.

“Nuk po thotë njëri që e keni tërësisht ju fajin, thjesht e bëra këtë pyetje se zotëri Mishetiq kërkoi që të bëhet konferenca për ecurinë e çështjes dhe thjesht po iu jap juve fjalën që të jepni mendimin tuaj se ku qëndron problemi. Përpara se të filloni të hidhni fajin dikujt, thjesht jepni qëndrimin tuaj”, tha gjykatësi.

Më pas, Emmerson replikoi duke i thënë se nuk po e bën një gjë të tillë, për të cilën këmbënguli sërish Smith III.

“Nuk po i hedh fajin askujt…Dua të di se pse po më akuzoni që po fyej dikë”, tha Emmerson.

“Po, po mundoheni ta bëni këtë gjë…Unë thash që po e fyeni Prokurorinë”, tha Smith III.

Emmerson tha se nuk i duket e drejtë që një avokat mbrojtës të trajtohet në këtë mënyrë sa herë që e merr fjalën.

“Nuk më duket e drejtë që një avokat mbrojtës ta trajtoni kështu sa herë ngrihet dhe e merr fjalën. Nuk mendoj që po them asgjë tjetër, nuk mendoj që po fyej njeri, thjesht po flas në mënyrë normale dhe po i bëjë parashtrimet e mia”, tha ai.

Gjithsesi, që Emmerson vazhdoi më pas më parashtrimet e veta duke thënë se do të mundohen që të bëjnë rishikimin e vlerësimeve të tyre kohore për kundërpyetjet.

“Ekipet e mbrojtjes nuk mund të bëjnë vlerësim më të mirë të kohës për kundërpyetjet e tyre deri sa të kenë dëgjuar ekipet e tjera. Kështu nuk mbetet asgjë nga ne që të bëjmë vlerësim më të mirë. Ne po mundohemi që t’i rishikojmë vlerësimet tona të kohës për kundërpyetje. Sigurisht që ne duam që vlerësimet t’i mbajmë më të arsyeshme që të jetë e mundur. Por, nga ana e tjetër trupi gjykues po thotë se pse po flisni kaq shumë”, tha Emmerson.

Ai shtoi se edhe nëse reduktojnë kohën, kritikohen se pse nuk e kanë përdorur kohën për të cilën kishin parashtruar paraprakisht.

Avokati i Veselit ritheksoi se nëse nuk merret ndonjë masë, Prokuroria nuk mund ta përfundojë çështjen e saj deri në vitin 2027.

“Duket se kemi arritur thuajse në mes të procesit dhe duket se në qoftë se merret një masë drastike, ose nuk vendoset ndryshe sa i takon procedimit të mëtejmë, nuk mund ta përfundojë Prokuroria çështjen e saj deri në vitin 2027”, tha Emmeron.

Ndërsa, si përfundim në parashtrimin e tij, Emmerson tha se mendon që do të ishte efektive që të trupi të vendoste afate kohore për kundërpyetjet e mbrojtjes dhe palëve të tjera në mënyrë që procesi të jetë me efektiv, për çka Smith III i tha se këtë propozim e kishte bërë edhe më herët për të cilin kishte pasur kundërshtime gjykues nga palët e tjera.

Megjithatë, Smith tha se ka ardhur koha që të mendohet edhe ky opsion.

Ndërsa, avokati i Selimit, Geoffrey Roberts tha se është dakord me ato se çka thanë kolegët e tij, mirëpo sipas tij do të ishte mirë që të përcaktohej koha se kur do t’iu jepen shënimet përgatitore nga Prokuroria.

Sipas tij, kjo i ndihmon shumë për të përcaktuar kohën e tyre në mënyrë më të drejtë.

Kurse, avokati i Krasniqit, Aiden Elis tha se e mbështet propozimin e Roberts. Ai gjithashtu tha se sugjerim tjetër i tij është që të ketë dëshmitarë rezervë që do të jetë i pranishëm përmes video-lidhjes, i cili sipas tij s’ka pse të vijë e të pres në Hagë, por në mënyrën që e propozoi të jetë i gatshëm kurdoherë.