I suspenduari që shkoi pas mesnatës në dhomën e vajzave në konvikte thotë se ishte për prishjet teknike

Hysni Gashi, zyrtari administrativ i Qendrës së Studentëve, i cili dje është suspenduar nga puna, pasi dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, ka mohuar për Demokracia.com kategorikisht akuzat kundër tij. 

Gashi ka thënë për Demokracia.com se më 13.12.2022 kishte ndërprerje të rrymës dhe se është ftuar nga tri studente për ta shikuar ndërprerjen e rrymës. Ai thotë se gjatë asaj kohe studentet e dhomës tjetër kanë shkuar dhe i kanë thënë “pse po futesh në dhomë të femrave, edhe pse i kisha treguar se isha i ftuar për rrymë dhe prishje teknike”.

“Ndonëse një e pavërtetë që është duke qarkulluar nëpër medie gjoja se unë qenkam futur në dhomën e studenteve është krejtësisht e pavërtetë. Për hir të vërtetës dhe opinionit publik, dëshiroj të ju njoftoj. E vërteta e saj është se me datën 13.12.2022 kishte ndërprerje të rrymës dhe jam ftuar nga tri studente për ta shikuar ndërprerjen e rrymës dhe gjatë asaj kohe studente të dhomës tjetër kanë ardhë duke thënë pse po futesh në dhomë të femrave edhe pse i kisha treguar se isha i ftuar për rrymë dhe prishje teknike”, ka thënë Gashi për Demokracia.com.

Ai, po ashtu, ka thënë se studentet e dhomave tjera janë ankuar, ndonëse Gashi arsyetohet duke thënë se nuk është futur në dhomën e tyre.

“Më pastaj pikërisht ato studente të dhomave të tjera janë ankuar (pra pa futur në dhomën e tyre, jo edhe këto tri studentet që kisha hyre me lejen e tyre). Ja rikujtoj se recepsionisti ka të drejtë të hyjë neper dhoma të studenteve për të hyre jo vetëm kur ka prishje, por edhe për dyshime ilegale që studentet fusin shpesh here atu”, ka thënë tutje ai.

Gashi ka thënë se kjo është e vërteta lidhur me rastin.