Josef Fritzl

I refuzohet kërkesa për lirim austriakut që dhunoi të bijën për 24 vjet

88-vjeçarit austriak, Josef Fritzl, që përdhunoi me mijëra herë vajzën e tij dhe e kishte mbajtur të burgosur në një dhomë burgu nën shtëpi, duke bërë edhe 7 fëmijë me të, i është refuzuar kërkesa për lirim nga burgu.

Një gjykatë rajonale në qytetin Krems të Austrisë vendosi të enjten se Fritzl, i cili tani ka demencë, mund të zhvendoset nga paraburgimi psikiatrik në një burg të rregullt. Vendimi, megjithatë, përcakton që Fritzl do të duhet të marrë pjesë rregullisht në psikoterapi dhe t’u nënshtrohet vlerësimeve psikiatrike gjatë një periudhe 10-vjeçare në burg, shkruan Euronews.

Kërkesa për lirimin e tij nga paraburgimi u refuzua, por vendimi është në favor të ekipit ligjor të Fritzl, pasi kushtet në një burg të rregullt konsiderohen një përmirësim në krahasim me kontrollet e rrepta në një institucion psikiatrik.

“Në përmbledhje, gjykata ka arritur në përfundimin se është e vërtetë që ai nuk është më i rrezikshëm”, tha avokatja e Fritzl, Astrid Wagner.

88-vjeçari u dënua me burg të përjetshëm në vitin 2009 për incest, përdhunim, detyrim, burgim të rremë, skllavërim të vajzës së tij, Elisabeth, si dhe vrasje nga pakujdesia të një prej djemve të tij të mitur pasi nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore.

Vendimi i ri nuk është ende ligjërisht i detyrueshëm dhe prokurorët kanë 14 ditë për të bërë ankesë, raportojnë mediat austriake.