I plagosuri në Gllogjan është në gjendje stabile

Naim Sahiti, zëdhënës i Spitalit të Pejës ka konfirmuar se i plagosuri është operuar dhe tani është jashtë rrezikut për jetë.

“I është hequr plumbi gjatë orëve të mbrëmjes (më 26 nëntor). Tash është gjatë procesit të trajtimit pas-operativ, por gjendja e tij është shumë e mirë”, tha Sahiti për REL.

Sipas Sahitit, i plagosuri kishte një plumb në kofshën e majtë si dhe një plumb që ka depërtuar tejpërtej.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ende nuk ka arrestuar ndonjë të dyshuar për vrasjen e trefishtë në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Autobusi që u sulmua po bartte nxënës në relacionin Gjakovë-Deçan.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës, Veton Elshani ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka arrestime lidhur me këto vrasje.

Sipas Policisë, vrasjet dyshohen se u kryen me armë zjarri të llojit AK-47.