I përfshirë në afera, Vetëvendosje e rehaton në Bordin e BQK-së ish-kandidatin e vet për deputet

Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur si anëtar jo-ekzekutiv  të bordit të BQK-së, ish-kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Nexhat Kryeziun. Kryeziu ka qenë i përfshirë në njërën nga aferat më të përfolura të vitit 2018, atë të përgjimeve të Ndërmarrjes Publike Banesore.

Nexhat Kryeziu, njeriu që ishte përfshirë në përgjimet e aferës së Ndërmarrjes Publike Banesore dhe ish-kandidat i Vetëvendosjes për deputet sot është emëruar anëtar jo-ekzekutiv  i bordit të BQK-së.

Këtë pozitë Kryeziu e ka marrë nga votat e deputetëve të Kuvendit, e cila më shumicë eshte nga Vetëvendosje.

Në votim morën pjesë 85 deputetë, nga të cilat shtatë fletëvotime ishin të pavlefshme.

Kryeziu u zgjodh me gjithsej 72 vota të marra nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kandidatët e tjerë ishin Esida Bujupi e cila nuk morri asnjë votë, Lulzim Ismaili pesë vota dhe Nora Rraci një votë.

Qeveria e Kosovës më 30 prill është pajtuar me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues për përzgjedhjen e anëtarit jo-ekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Emrat e propozuar  në atë kohë kanë qenë Arta Hoxha, Esida Bujupi, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Nora Rraci, shkruan Demokracia.com.

Më datë 1 mars, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka shpallur konkurs për një pozitë të anëtarit jo-ekzekutiv të bordit të BQK-së.

Sipas konkursit të publikuar, emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar, duke filluar nga data e emërimit.

Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti i Kosovës.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Bordi i Bankës Qendrore përbëhet nga Guvernatori dhe katër (4) anëtarë joekzekutivë, të cilët ngarkohen me detyrën e aprovimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave, si dhe mbikëqyrjen e administrimit dhe të aktiviteteve të Bankës Qendrore.

Nexhat Kryeziu, i cili ka qenë kandidat për deputet nga partia në pushtet në zgjedhjet nacionale të vitit 2017, është emëruar në muajin shkurt kryesues i Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar.

Vendimi për emërimin e Kryeziut në këtë pozitë është nënshkruar nga vetë kryeministri i vendit Albin Kurti.

Ai njihet për përfshirjen e tij në aferën e NPB-së. Kryeziu para se të bëhej publike kjo aferë, në vitin 2017 ka qenë kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurse, një vit më pas, në vitin 2018 ai në rolin e Drejtori të NPB-së, së bashku me Liridon Latifin, ish-kryesuesin e Bordi, të kësaj ndërmarrjeje, kishin anuluar konkursin për dhënien me qira të lokaleve afër Katedrales në Prishtinë, shkruan Demokracia.com.

Këtë vendim Kryeziu dhe Latifi e kishin marrë për shkak se dy të preferuarit e tyre nuk kishin arritur të përfitojnë nga ky konkurs.

Në një incizim të publikuar në atë kohë dëgjohet se si Liridon Latifi i bënë kërkesa dhe i jep sugjerime Kryeziut se si duhet të veprohej. Madje ai i thitë se duhej t’i bëhej e qartë edhe Shpend Ahmetit.

Njerëzit e tyre sipas audioincizimit janë një person i quajtur Ertan dhe një person që i referohen si Polloshka. Ata, nuk kishin arritur të marrin pikë të mjaftueshme në konkurs.

Liridon Latifi, thotë se konkursi duhet të rrëzohet dhe t’u rriten pikët këtyre dy aplikuesve që përmenden si financues dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas marrëveshjes mes Latifit dhe Kryeziut konkursi ishte anuluar.

Të dy protagonistët e kësaj afere me elemente të shpërdorimit të detyrës zyrtare janë anëtarë të VV-së. Kryeziu, e Latifi ishin zgjedhur në krye të ndërmarrjes me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.