I nxehti i madh vjen edhe në Kosovë, temperatura deri në 38 gradë celsius

Gjatë dy ditëve të ardhshme do të mbajë mot shumë i nxehtë në Kosovë dhe vranësira të shpërndara kryesisht përgjatë relievit malor, njoftoi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës të enjten.

Temperaturat do të shënojnë rritje në orët e mesditës, thuhet në njoftim. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 11-15 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-38 gradë celsius.

“Inderksi UV vazhdon t’i mbajë vlerat e larta, prandaj këshillohet shmangja e kontaktit direkt me rrezet e diellit, në intervalin kohor 10-17”.

IHK-ja ka këshilluar që të konsumohet më shumë ujë, jo lëngje të gazuara dhe me sheqer, të mbahen syzet, kapela dhe rroba të pambukta me ngjyra të lehta.

“Të moshuarit dhe rastet me sëmundje kronike të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të ajrosura mirë”, thuhet në njoftim.

Të dielën parashihet rënie e lehtë e temperaturave maksimale, pasi ka mundësi që vende-vende të ketë riga shiu të përcjella me shkarkime rrufesh.