I nxehti afrikan alarmon Evropën, situatë kaotike në disa shtete

Temperaturat ekstreme do të vijojnë të mbajnë të pushtuar Evropën edhe gjatë kësaj jave. Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia  do të përjetojnë kushte ekstreme të motit.

Qeveria italiane  ka ngritur alarmin e kuq në 16 qytete të vendit përfshirë edhe Romën ku temperatura pritet të shkojë në 46 gradë Celsius. Ndërsa në Sicili dhe në ishullin e Sardenjës temperatura gjatë ditës së enjte do të shkojë në 48 gradë Celsius.

Qytetarët janë paralajmëruar që të shmangin daljet nga ora 11:00 deri në orën 18:00. E kujdes duhet të tregojnë veçanërisht të  moshuarit dhe ata që kanë probleme shëndetësore.

Sipas parashikimeve  italianët duhet të përgatiten  për verën më të nxehtë të të gjitha kohërave. Shteti fqinj është një nga shtetet më vunerabël e te preket me shume nga ndryshimet klimatike.

Për shkak të motit të nxehtë shumë probleme janë shfaqur në disa shtete.

Në Spanjë kanë  nisur zjarret masive. Më shumë se 4 mijë persona janë evakuuar nga autoritetet. Në Greqi është marrë vendimi që të mbyllet Akropoli për turistët për shkak të nxehtësisë.

Agjencia Evropiane e Hapësirës që vëzhgon temperaturën e sipërfaqes së tokës nga Hapësira paralajmëron që edhe në ditët në vijim të ketë temperatura më të larta.

Meteorologët italianë po e quajnë këtë fazë të nxehtit “Sharon” një referencë për një figurë mitologjike greke që ka të bëjë me shpirtrat e të vdekurve.