I mbijetuari i masakrës së Dubravës Rasim Selmanaj, rrëfen ekskluzivisht ngjarjen makabre të kryer 20 vjet më parë

Para 20 viteve në burgun e Dubravës u krye gjenocidi ndaj të burgosurve shqiptar që mbaheshin peng nga forcat serbe.

Shumë të burgosur u vranë me bomba, pushkë, automatike e minahedhëse, transmeton Ballkani.info

Pjesë e kësaj masakre e që fatmirësisht i shpëtoi lehtë ishte edhe ish kryetari i komunës së Deçanit, dhe tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët AAK-së Rasim Selmanaj.

Për Ballkani.info ai ka rrëfyer gjithë ngjarjen se si ka ndodhë masakra në burgun e Dubravës më 19 maj të vitit 1999.

Selmanaj tha se vetëm masakra e Dubravës është dëshmi e mjaftueshme që Serbia të paditet për gjenocidin serb të kryer në Kosovës, duke i llogaritur edhe masakra të tjera në mbarë Kosovën.

“ Jam arrestuar në vitin 24 mars 1998, një kohë kam qëndruar në burgun e Pejës tani na kanë traferuar në burgun e Nishit, e pastaj në Dubravë ku edhe ndodhi masakra. Më pas në Beograd dhe Mitrovicë, dhe ka pas shumë transferime të burgosurve”, ka pohuar Selmanaj.

Selmanaj rrëfen se si shpëtoi nga masakra në burgun e Dubravës ne mesin e shumë të tjerëve që u vranë mizorisht.

“Diku rreth 1 mijë të burgosur na kanë tërhequr afër një muri në burg, dhe në momentin që na kanë bërë të gjithë tëburgosurit bashkë, kanë filluar të shtinë drejt nesh me minahedhës, bomba dore, dhe pushkë automatike. Në këtë moment unë jam shtrirë, dhe kam qenë i mbuluar me trupa të vdekur , ata ishin të burgosurit që u vranë nga gjenocidi serb. Më pas fillova të vrapojë drejtë një vendi që ishte më i sigurt dhe nuk mund të depërtonin plumbat”, rrëfeu Selmanaj.

Në burgun e Dubravës, ish kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj, thotë se ka qëndruar prej datës 30 Prill deri më 24 Maj.

Ai shton se krimi në burgun e Dubravës nuk mund të harrohet dhe, çuditet se si edhe pas dy dekadave askush nuk është dënuar për këtë gjenocid.

“Unë e kam dhënë dëshminë time tek EULEX-i para 8 viteve për masakrën e Dubravës, dhe deri më tani askush nuk është dënuar për këtë gjenocid” ka shtuar Selmanaj.

Kësaj masakre i shpëtuan Liburn Aliu nga Vetëvendosje, dhe Nait Hasani nga PDK./Ballkani.info/