“I kishte fshehur në gomë rezervë”, detaje të reja për zyrtarin serb të Ministrisë së Infrastrukturës që iu konfiskuan katër mijë fishekë

Katër mijë fishekët që iu konfiskuan zyrtarit serb të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përgjatë së enjtes në Jarinje ishin të fshehur në gomat rezervë të të dyshuarit.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate, duke bërë të ditur se kanë kryer kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit dhe kanë sekuestruar një armë të gjatë AK-47, shkruan lajmi.net.

“Policia ka kryer kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit ku është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë AK-47 me tre karikatorë të zbrazët”, sqarohet në komunikatë.

“Gjatë kontrollimit në bagazhin e automjetit janë gjetur: katër pako të mëdha me gjithsej 4000 copë municion të llojeve të ndryshme të fshehura tek vendi i gomës rezervë të automjetit. Policia ka arrestuar personin e dyshuar, ndërsa me autorizim të prokurorit përkatës, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, vijon më tej komunikata.

Lidhur me rastin fillimisht ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili njoftoi se i dyshuari ishte zyrtar i ministrisë ku udhëheqë Liburn Aliu. Për të dyshuarin, Sveçla tha se vinte, siç e cilësoi ai, nga strukturat paralele.