Prishtinë

‘I kam 50 euro, hajde ndalemi diku’: Shoferi i taksit ilegal ngacmon seksualisht të miturën në Prishtinë, s’ia ndal veturën që të zbres

Një taksist ilegal në Prishtinë e ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur brenda veturës me të cilën i dyshuari kryen shërbimet për taksi ilegal në relacionin Prishtinë – Fushë Kosovë. Në praninë e prindit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, vajza e mitur ka rrëfyer në Polici gjithë tmerrin që përjetoi nga shoferi 36-vjeçar, i cili për më tepër nuk ia kishte ndalur veturën që të zbriste.

Sinjali mëson se 17-vjeçarja ka deklaruar se gjatë kohës që po udhëtonte me taksi ilegal për në Fushë Kosovë, shoferi e kishte ngacmuar me fjalët ‘i kam 50 euro, hajde ndalemi diku’, duke aluduar në krijimin e një raporti intim me të miturën.

Pos kësaj, ai kishte vazhduar ta ngacmojë edhe me fjalë të tjera, çka bëri që 17-vjeçarja të kërkojë që të zbres menjëherë nga vetura. Por i dyshuari nuk kishte përfillur kërkesën e saj, duke mos e ndalur veturën fare. Duke parë rrezikun që i kanosej, e mitura kishte vendosur që të kërcej nga vetura gjatë kohës që ajo ishte në lëvizje

Ngjarja tronditëse ka ndodhur të hënën rreth orës 13:30.

Më pas ai është arrestuar dhe pas intervistimit është vendosur të jetë në mbajtje.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Prishtinë, 15.08.2022-13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ai deri sa ka qenë duke punuar taksi ilegal kishte ngacmuar seksualisht viktimen e mitur femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje