I famshëm? Flori Mumajesi ka një tjetër koncept

Flori Mumajesi nuk u largua ndonjëherë, e sërish, duket sikur u rikthye këtë vit.

Pas fitores në Festivalin e “Këngës Magjike” dhe pas publikimit të disa hiteve të njëpasnjëshme, Flori u kthye në pretendent serioz për një tjetër çmim: atë të personazhit të vitit, nominuar nga disa media përfshirë Top Channel e “Opinion.”

Në studion e këtij të fundit, Flori rrëfeu ku qëndron për sa i përket muzikës dhe mbështetjes së kësaj industrie nga organizmat shtetërorë. Ai, porsi ne, mendon se Shqipëria nuk është e përgatitur të organizojë tre netë Eurovision dhe sado këngë të mira të dërgojmë, s’mund ta sjellim në shtëpi çmimin.

Me më shumë se 20 vite karrierë, ai gjeti mënyrën më elegante për të thënë se fiton goxha. “Unë kam nisur nga pasioni dhe për disa vite pyesja veten ‘ç’po bëj.’ Disa miq të mitë, njerëz më të mençur se unë, më thanë që ‘nëse punon bukur, prit, vjen vlerësimi i publikut i cili përkthehet në vlerë ekonomike,’” tha Flori. Le të themi që publiku e vlerëson shumë.

Kantautori dhe producenti mendon se s’është më dhe aq i famshëm dhe fajin ua la celularëve dhe rrjeteve sociale. “Nuk ka më famë. Ka dashmirësi mendoj. Është shumë bukur kur takon njerëz e të komplimentojnë. Fama e dikurshme, se unë e kam kapur dhe atë me grupin The Dreams, kur s’kishte smartphone, ka qenë shumë herë më e bukur. Dilje nga shtëpia dhe takoje njerëz që të thoshin i kam vënë fëmijës emrin tënd. Ajo famë s’ekziston më,” tha ai. “Tani janë më të famshëm ata që s’prodhojnë asgjë, se ata që prodhojnë diçka.”