Korporata Energjetike e Kosovës e ka konfirmuar emërimin e Bekir Gërgurit në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv.

Në një njoftim për media të enjten, KEK-u tha se Gërguri do të ushtrojë detyrën e Kryeshefit Ekzekutiv.

“Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a njofton se në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre) në Korporatën Energjetike të Kosovës është emëruar Bekir Gërguri. Sot, gjatë ceremonisë së pranim dorëzimit, Gërguri ka pranuar detyrat dhe autorizimet e plota për udhëheqjen e të gjitha operacioneve të KEK sh.a”, tha KEK-u në njoftim.

Paparaci raportoi dje se si Bekir Gërguri, një i degraduar në pozitë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) shkaku i mbjelljes së grurit në depon të hirit rreth 11 vite më parë, është zgjedhur ushtrues i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm.

I sapo emëruari në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në KEK ka lidhje të forta edhe më pushtetin.

Bekir Gërguri, pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për Asamble Komunale në Obiliq

Gërguri ishte pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, si pjesë e së cilës kishte kandiduar për një ulëse në Asamblenë Komunale të Komunës së Obiliqit.

Pozita e drejtorit të KEK-ut ka mbetur vakante që nga 25 prilli i vitit të kaluar kur Bordi i Drejtorëve e pezulloi nga puna Nagip Krasniqin, ish-drejtorit të Përgjithshëm të arrestuar më 19 prill nën dyshimet për korrupsion.