I dyshuari për dhunimin e 11-vjeçares u transferua në Burgun e Sigurisë së Lartë pasi të burgosurit tentuan ta sulmonin

Pas avokatit, tashmë edhe Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar se i dyshuari për dhunimin e 11-vjeçares, Ekrem Rexhepi është tentuar të sulmohet nga disa të burgosur prandaj edhe është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Fitim Limani, avokati i Ekrem Rexhepit, të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, gjatë ditës së sotme tregoi për Demokracia.com se klienti i tij është sulmuar nga disa të burgosur të tjerë.

“E kanë sulmuar të burgosurit gjatë shëtitjes mirëpo menjëherë ka ndodhur intervenimi i gardianëve dhe e kanë larguar”, ka thënë avokati Limani.

Por këtë deklaratë të Limanit e ka hedhur poshtë Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), duke thënë se Ekrem Rexepi nuk është sulmuar, por për shkak të evitimit të ndonjë sulmi eventual ai është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë.

“Nuk është sulmuar. Është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë për çështje të sigurisë së tij, për të parandaluar ndonjë sulm të mundshëm për shkak të veprës për të cilën dyshohet”, ka thënë Florent Gashi, zëdhënës i SHKK-së për Demokracia.com.

Mirëpo deklarimet e avokatit Limani i ka konfirmuar edhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja Mirlinda Gashi, ka thënë për Demokracia.com se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Shërbimit Korrektues për transferimin e Ekrem Rexhepit, meqë sipas saj, të paraburgosurit e tjerë kanë tentuar ta sulmojnë.

“Shërbimi Korrektues ka kërkuar nga Gjykata të bëhet transferimi i të akuzuarit, pasi personat e tjerë brenda qendrës së paraburgimit kanë tentuar ta sulmojnë atë. Gjykata ka aprovuar kërkesën për transferim”, ka thënë Gashi.

Theksojmë se gjatë ditës ka qarkulluar në rrjetet sociale edhe një video, ku pretendohet se është njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares i cili ishte sjell në njërin prej spitaleve për trajtim mjekësor. /Demokracia.com/