Shqiprim Musliu, i biri i ish komandantit të UÇPMB-së Jonuz Musliu, njëherit kandidat për kryetar të komunës së Bujanocit nga radhët e Lëvizjes së Progresit Demokratik, ka nxjerrë një mesazh prekës me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.

“Isha vetëm 9 vjeç, kur Kosova u çlirua nga Serbia. Një fëmijë i kësaj moshe, domosdo do të ishte i habitur pas lojës. Por, lotët e gëzimit të babit kur Kosova u çlirua, janë kujtim i freskët për mua. Mbase ata lotë gëzimi unë s’i kisha shumë të qartë. Nuk e kuptoja që njeriu mund të qajë nga gëzimi. Por, kur sot i kujtoj ato momente, pos që ndjej mungesën për babin, rrënqethem nga gëzimi që sot Kosova është e lirë dhe e pavarur. Aq më shumë, ndjehem krenar që me gjithë familjen dhe bashkëqytetarët e Luginës së Preshevës jemi hisedarë të kësaj lirie. Kosovë, urime Dita e Çlirimit. Qofshim bashkë përherë!”, thuhet në mesazhin e Musliut, të shoqëruar me fotografinë e babait të tij në rrjetin social facebook.