I arrestuari për përfshirjen në vrasjen e Oliver Ivanoviqit është bashkëpunëtor i Zvonko Veselinoviqit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë policia ka arrestuar M.M., i cili dyshohet se është pjesëtar i grupit të organizuar kriminal të lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Sipas Nova.rs, i arrestuari është Milan Mihajloviq, i cili është i afërt me biznesmenin kontrovers, Zvonk Veselinoviq.

Avokati i tij Miodrag Bërkljaq thotë për Nova.rs se është e vërtetë që Milan Mihajloviq është arrestuar dhe ndodhet në një njësi të paraburgimit.

“Nuk di asgjë më shumë se detaje, duke qenë se vetëm një orë, një orë e gjysmë më parë ka ardhur familja e tij për të më angazhuar që ta mbroj. Ajo që di unë – e di nga mediat, është se Prokuroria Speciale e ka arrestuar nën dyshimin se është anëtar i një lloj grupi kriminal që dyshohet se ka marrë pjesë, ndër të tjera, në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, thotë Bërkljaq.

Ai thotë se meqenëse është arrestuar mbrëmë rreth orës 22:30, nesër gjatë ditës duhet të mbahet seanca në Gjykatën Speciale në Prishtinë, ku duhet të vendoset nëse ai do të mbetet në paraburgim apo do të lirohet.

“Duke pasur parasysh zhvillimin e situatës, peshën e akuzës dhe gjithçka që po ndodh, ka shumë të ngjarë që ai nesër të caktohet në paraburgim”, shton Bërkljaq.

Ai paraprakisht ishte përmendur si njëri nga të dyshuarit në këtë rast, por nuk ishte përfshirë në aktakuzën e ngritur.

Milan Mihailoviq është në listën e personave ndaj të cilëve Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione. Në shpjegim thuhet se Mihailoviq është një nga nëntë bashkëpunëtorët e Zvonko Veselinoviqit që kanë punuar për të ose në emër të tij.