Nenad Stojqetoviq, ish-sekretari i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, është emëruar drejtor për Administrimin e Monumenteve Natyrore me Rëndësi të Veçantë në kuadër të ministrisë së Ambientit që drejtohet nga Liburn Aliu, shkruan Gazeta Insajderi.
I akuzuari për keqpërdorim të pozitës zyrtar, Nenad Stojqetoviq javën e kaluar është emëruar drejtor i Drejtoratit për Administrimin e Monumenteve Natyrore me Rëndësi të Veçantë në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës në Ministrin e Ambientin që udhëhiqet nga Liburn Aliu.
Stojqetoviq, ka ardhur në këtë pozitë nga Ministria e Komuniteteve dhe Kthim aty ku ushtronte detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Ai kishte qenë i akuzuar në vitin 2017 bashkë me Ministrin e atëhershëm Dalibor Jevtiq për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Aktakuza ndaj tyre ishte hedhur poshtë.
Gazeta Insajderi mëson nga burimet brenda ministrisë së Ambientit, se kjo pozitë në të cilën tash është emëruar Stojqetoviq kishte mbetur vakante rreth dy muaj dhe se emërimi i tij kishte ardhur pa ndonjë konkurs.
Sipas këtij burimi punëtorët në këtë ministri nuk e kanë mirëpritur këtë vendim.
Emërimin e Stojqetoviq drejtor në Ministrinë e Ambientit e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Sekretari i Përgjithshëmi kësaj ministrie Izedin Bytyqi.
Në aktemrimin e dërguar gazetës, thuhet se Nenad Stojqetoviq, pozitën e punës Sekretar i Përgjithshëm në Ministrin për Komunitete dhe kthim e ka mbajtur deri më datën 13.07.2021, i emëruar nga qeveria e Republikës së Kosovës me vendiminh e datës 13.07.2018.
“Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), bazuar në paragrafin 7 yë nenit 42 të Ligjit NR. 06/L- 114 për Zyrtarët Publikë, vendosi të sistemon z.Stojqeviq në pozitën e nivelit të mesëm drejtues”
“DMZP, në përputhje me nenin 42 paragrafi 7 dhe 8 të Ligjit Nr. 06/L- 114 për zyrtarët publikë dhe nenit 15 të rregullores NR.15/2020 për Pranimin, Vlerësimin, Disiplinën e Nëpunësve të Lartë Drejtues, z.Stojqeviq e emëron në pozitën e nivelit të mesëm drejtues në pozitën: drejtor i Drejtoratit për administrimin e monumenteve natyrore me rëndësi të veçantë në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës”, thuhet në vendim.


Kush është Nenad Stojqetoviq dhe për çka akuzohej ai në vitin 2017?
Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2017 kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim ndaj Nenad Stojqetoviq që në atë kohë mbante pozitën e sekretarit të Përgjithshëm, në ministrin për Komunitete dhe Kthim, që udhëhiqej nga Dalibor Jevtiq.
Ish ministri Jetviq më 2014, ia kishte dhënë në shfrytëzim të përhershëm automjetin zyrtar që ishte pronë e ministrisë një kompanie private, “përkatësisht Radio KIM –TV Centar, me seli në Çagllavicë komuna e Graçanicës”.
Nenad Stojçetoviq, si person përgjegjës për menaxhimin e pasurisë të kësaj ministre, duke e ditur që një vendim i tillë është i kundërligjshëm e kishte urdhëruar zyrën ligjore të ministrisë që të përpilojë kontratën.
Aktakuza e ngarkonte Stojçetoviq, Jevtiq dhe zyrtarin Mihajlo Pelinqeviq për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Që të tre këta persona zyrtarë i kishin tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre me qëllim që të përfitojnë për vete apo personin tjetër, dhe njëkohësisht t’i shkaktojnë dëm MKK-së.
Mirëpo, kjo aktakuzë ishte hedhur poshtë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, dhe ishte vërtetuar pastaj nga Gjykata e Apelit.







