I akuzuar

I akuzuari Murat Jashari i kërkon dëshmitarit ta bëj një gjë të pazakontë!

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për pjesëmarrje në organizatën “Syri i Popullit”, në mesin e shtatë personave të cilët sot janë dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve ishte edhe këngëtari Ismet Behxheti.

Behxheti ishte ftuar si dëshmitar që të dëshmojë në lidhje me një shkresë në të cilën sipas Prokurorisë, organizata “Syri i Popullit” e kishte propozuar atë për drejtor të RTK-së.

Me të hyrë në sallë të Gjykatës, pasi që dëshmitari me profesion është këngëtar, atij i akuzuari Murat Jashari i kërkoi që të këndojë një këngë në mënyrë që t’i dispononte të pranishmit pas një seance të gjatë e të lodhshme.

“Ish kanë mirë që me na disponu pak, me na e këndu një këngë”, i tha dëshmitarit i akuzuari Murat Jashari.

Për shkresën për të cilën prokurori Sylë Hoxha e pyeti, dëshmitari tha se nuk ka fare dijeni.

“Nga organizata ‘Syri i Popullit’, nga shkresat që ne posedojmë shkruan se ju kanë prezantuar për drejtor të RTK-së”, i tha dëshmitarit prokurori Hoxha. “E para, unë nuk kam dëgjuar kurrë për këtë letër, pasi që ka ndodhur rasti kam marrë vesh për letër. Unë isha edhe në atë kohë drejtor i bordit të RTK-së”, u përgjigj dëshmitari.

Ndërsa sa i përket të akuzuarit Murat Jashari, dëshmitari tha se për herë të parë të njëjtin e kishte takuar në fund të viteve të ’80, gjatë një koncerti në Zvicër.

“Po e njoh, për herë të parë e kam takuar në fund të viteve ‘80 apo në fillim të ‘90-tave në Zvicër jemi takuar në një koncert që e kam mbajtur atje dhe pastaj një dekadë nuk jemi takuar fare”, deklaroi dëshmitari.

Ai për organizatën “Syri i Popullit” tha se ka dëgjuar vetëm pasi që kishte ndodhur rasti.

Ndonëse në fillim të seancës gjyqësore, para dëgjimit të dëshmitareve avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi ngriti shqetësimet sa i përket gjendjes mendore të të mbrojturit të saj, ajo një gjë të tillë e bëri edhe në fund të seancës, duke e njoftuar përsëri Gjykatën për gjendjen e keqe shëndetësore në të cilën tha se ndodhet klienti i saj.

“Në seancën e parë keni marrë një aktvendim që të dëgjohen psikiatrit, nuk e di a e shihni gjendjen që tash e ka Murati, le që nuk po i merrni mjekët por ata mungojnë fare sepse ftesa nuk u ka shkuar. E shihni gjendjen… pasi që është marrë një vendim pse nuk merren ata ekspertë. Në praktikë kur një person është i sëmurë psikik nuk mund të jetë i pranishëm me ne këtu në sallë”, tha avokatja Bytyqi.

Në vërejtjen e avokates Bytyqi u përgjigj kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica e cila deklaroi se për gjendjen mendore të të akuzuarit Murat Jashari, përmes një ekspertize, ekspertët kanë dhënë mendimin se ai është në gjendje të përcjell shqyrtimin gjyqësor dhe se kur të ju vijë radha ekspertët do të ftohen para Gjykatës për t’u deklaruar lidhur me raportin.

Në fund të seancës gjyqësore, avokatja Fehmije Gashi Bytyqi e mori prapë fjalën, me ç’rast ngriti përsëri shqetësimin sa i përket gjendjes fizike dhe mendore në të cilën tha se ndodhet i mbrojturi saj, Murat Jashari.

“Ju a po ia vëreni syrin që vetëm sa si ka pëlcitur, unë kam përgjegjësi para tij dhe familjarëve të tij. S’e di a e vërejtët gjatë gjykimit se syri po shkon vetëm duke ju ënjtur”, deklaroi avokatja.

Kjo vërejtje e avokates u shënua në procesverbal nga ana kryetares së trupit gjykues, e cila më pas caktoi datën 30 nëntor si datë për seancën e radhës që do të mbahen në këtë proces gjyqësor.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.

Pjesë e aktakuzës janë  vepra penale  duke filluar  hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero./Kallxo.com/