Zgjim Hyseni, anëtari i Partisë Social Demokrate (PSD), vlerëson se kryeministri Albin Kurti, është në prag të dhënies së autonomisë për veriun e Kosovës.
Hyseni, në një intervistë për Ballkani.info, thotë se Kosova është nën sanksione nga BE si shkak i të dështimit të qeverisë me veriun e Kosovës.
“Ky krijim i perceptimit që tashmë ekziston për veriun po e merr kadale kuptimin e vet. Jemi në vigjilje të autonomisë, ndërkohë ende njerëzit mendojnë se atje është shtri sovraniteti. Nëse dokumenti i Asociacionit është më i dëmshëm se sa dokumentet e mëhershme nuk ka kuptim edhe mu krijua ky Asociacion edhe me qenë Kosova sovrane atje. Njëra prej tyre rrëfimeve ka me i mbijetuar kohës ose Kosova ka me qenë sovrane ose ka me u kriju Asociacioni. Nuk munden me qenë dy të vërteta këtu. Nëse ka diçka që e ka përshkruar krejt këtë vit janë ngjarjet në veri, Kosova është nën sanksione për këtë arsye. Por, nuk është problemi që është vetëm nën sanksione e në të njëjtën kohë e ka pranua Asociacionit”, ka thënë ai.
Për Hysenin qeverisja e Kurtit është e njëjtë me të tjerat, me një dallim të vogël, që është më e ngathët.
“Qeverisja Kurti është thjeshtë inercion i qeverisjeve të mëhershme. Nëse i sheh ndarjet buxhetore nuk kanë ndryshuar asnjë përqindje as në raport me buxhetin as në raport me GDP-në, e njëjta përqindje që është për arsimin ndahet sërish, të njëjta përqindje që janë ndarë për kulturë ndahen sërish. Nuk mundemi me thënë që qeverisja ka ndryshim paradigmatik, prej një rruge e ka marrë një rrugë tjetër. I vetmi dallim është që qeverisja tani është kryesisht ma e ngathët”, ka thënë tutje ai.
Më poshtë e gjeni intervistën e plotë me Zgjim Hysenin:







