Hysen Durmishi

Hysen Durmishi për biznesmenin të cilit ia dha tenderin: E njoh nga viti 2001

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimt Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se biznesmenin, kompania e të cilit fitoi tender në këtë ministri, ka pranuar se e njeh që nga viti 2001. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj sot në Kuvend tregoi një fotografi ku Durmishi është parë duke drekuar me këtë biznesmen, e cila sipas zëvendësministrit është e vitit 2019.

Durmishi ka treguar se pronarin e kësaj kompanie e kishte ndihmuar me fjalë e këshilla profesionale. Ai tha se Haradinaj është në “siklet të madh” dhe se atij po i dhemb fakti i anulimit të një tenderi nga kjo ministri.

“Unë jam inxhinier me profesion dhe shumicën e kompanive i njoh që moti sepse na ka lidhë profesioni. Pronarin e kësaj kompanie unē e njoh që nga viti 2001. Në kohën kur nuk kam pas funksion egzekutiv unë kam bashkëpunuar me kolegët e mi të profesionit dhe e kam ndihmuar edhe kompaninë në fjalë me këshilla profesionale sidomos në fushën e menagjimit. Fotoja që është publikuar është e vitit 2019. Prandaj mos manipulo Ramush. E di që je në siklet të madh sepse ti dhe ata që kanë keqpërdorur nuk mund ta bëni më dhe kjo ështē mirë për shtetin e qytetarët. Secili vendim që do ta marrim do të jetë në dëm tuajin e në të mirë të qytetarëve”, tha Durmishi.

Postimi i plotë i tij:

Reagim ndaj deklaratës së Ramush Haradinaj

E para që dua të them është se unë jam zv.ministër dhe nuk është punë e imja që të mirrem me tenderët. Me procedurat e tenderëve mirret zyra e prokurimit. Kjo më shumë flet për mendësinë e tyre se si kanë vepruar kur kanë qenë në pushtet. Si rezultat i ndërhyrjeve dhe urdhërave direkte të tyre sot ministria është në gjendje të tillë me shumë borgje e shumë probleme.

Ramushin e ka kap njëfarë sikleti kohëve të fundit. Në fillim nuk e kuptoja por tani secilën ditë që po kalon po e kuptoj më mirë. Ramushit po i pengon shumë që unë e kam anulu kontratën e mirëmbajtjes dhe sidomos sepse e kam ndal ndërtimin e rrugës në zonë të mbrojtur e që bëhej ekskluzivisht për vilat e bashkëpartiakëve të tij të ndërtuara në pronë publike.

Prandaj sulmin e ka ndaj meje dhe ministrit duke shpifur për ne.

Një nga problemet me të cilat jemi ballafaquar në ministri është edhe bllokimi i disa projekteve që nga viti 2019. Njëzet aneks kontrata kanë qenë në pritje vetëm për nënshkrim nga zyrtarët e prokurimit. Këto kontrata kanë qenë të kompletuara me dokumentacion, duke filluar nga konstatimi i menaxherit të kontratës në ditar të punës dhe kërkesa zyrtare për aprovim nga menagjmenti, duke vazhduar me raportet e komisioneve profesionale që i verifikojnë të gjitha këto pozicione në teren dhe në fund kemi rekomandim nga auditori i brendshëm i ministrisë që 19 nga 20 kontratat të nënshkruhen. Ditën kur është nënshkruar aneks kontrata me kompaninë e apostrofuar janë nënshkruar edhe 7 kontrata tjera dhe unë nuk e di cila është nënshkruar e para sepse unë nuk nënshkruaj kontrata.

Unë jam inxhinier me profesion dhe shumicën e kompanive i njoh që moti sepse na ka lidhë profesioni. Pronarin e kësaj kompanie unē e njoh që nga viti 2001. Në kohën kur nuk kam pas funksion egzekutiv unë kam bashkëpunuar me kolegët e mi të profesionit dhe e kam ndihmuar edhe kompaninë në fjalë me këshilla profesionale sidomos në fushën e menagjimit. Fotoja që është publikuar është e vitit 2019. Prandaj mos manipulo Ramush. E di që je në siklet të madh sepse ti dhe ata që kanë keqpërdorur nuk mund ta bëni më dhe kjo ështē mirë për shtetin e qytetarët. Secili vendim që do ta marrim do të jetë në dëm tuajin e në të mirë të qytetarëve.

Unë bëjë jetë modeste duke jetuar në një banesë me qera në Fushë Kosovë në ndërkohë që ju jetoni në luks. Athua si e bëtë gjithë këtë pasuri?