Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, njëherësh kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Hysen Durmishi, ka deklaruar se punimet në ndërtimin e rrugës Prishtinë–Pejë po zhvillohen me ritëm të shpejtë dhe sipas planifikimeve.
Përmes një postimi, Durmishi ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të përfundojë një segment i rëndësishëm i këtij projekti madhor infrastrukturor, duke e cilësuar ecurinë e punimeve si shumë të mirë.
Ai ka kritikuar projektet e trashëguara nga qeveritë e kaluara, duke theksuar se një pjesë e tyre kanë hasur në vonesa dhe probleme në realizim. Sipas Durmishit, dallimi qëndron në mënyrën e menaxhimit dhe zbatimit të projekteve.
“Projektet që i kanë nisur ata na kanë ngecur pak, ndërsa projektet që i nisim ne përfundojnë brenda afatit dhe realizohen në mënyrën më të mirë,” ka deklaruar Durmishi.
Rruga Prishtinë–Pejë konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, pasi lidh kryeqytetin me rajonin e Dukagjinit dhe pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin, sigurinë në trafik dhe zhvillimin ekonomik.
Deklarata e ministrit në detyrë vjen në kuadër të angazhimeve institucionale dhe fushatës elektorale, ku infrastruktura dhe realizimi i projekteve publike mbeten ndër prioritetet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje.







