Hyrja e xhandarmërisë serbe në Kosovë forcon edhe më shumë “lëkundjet” e koalicionit qeverisës

Mosuniteti i koalicionit qeverisës është shfaqur edhe përmes reagimit ndaj rastit të hyrjes së xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës të premten.

Pak ditë pasi kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, akuzoi partnerin kryesor, LDK-në për mospërfillje në procesin e dialogut, është shfaqur një tjetër “lëkundje” mes raporteve të partnerëve në qeveri. Haradinaj ka vizituar të shtunën Karaçevën, një ditë pasi aty u panë forcat serbe, dhe përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të ofrojnë siguri për të gjithë qytetarët dhe të mos lejojnë më “provokime të tilla”.

Ndërkaq, kryeministri Avdullah Hoti, që vjen nga radhët e LDK-së, i është përgjigjur shpejt Haradinajt duke thënë se “siguria e Kosovës s’mund të rrezikohet nga askush e se s’ka nevojë për defilime në vendngjarje, pa pasur idenë se si ka ndodhur ngjarja”.

Pavarësisht këtyre “lëkundjeve”, të gjitha partitë në koalicionin qeverisës janë deklaruar kundër iniciativës së Lëvizjes Vetëvendosje për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.