Hyri para 30 orësh në objektin e komunës: Ku është Lulzim Hetemi?

Kanë kaluar 30 orë që prej se Lulzim Hetemi, kryetari i ri i Komunës së Leposaviqit hyri në ndërtesën komunale dhe që nga atëherë dyshohet se po qëndron ende brenda objektit.

Një numër i madh i qytetarëve janë mbledhur sot para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, ndërsa në objekt po qëndron ende një zyrtar: kryetari i sapozgjedhur i kësaj komune, Lulzim Hetemi. 

Hetemi, i cili ka hyrë në ndërtesë të hënën në orën 05:30 të mëngjesit, e ka kaluar natën brenda zyrës së tij. Që nga atëherë, ai nuk është larguar më.

Kërkesat e protestuesve të cilët janë mbledhur edhe sot para objektit komunal në Leposaviq janë që Hetemi të largohet nga ndërtesa e komunës, por edhe që njësia speciale e Policisë së Kosovës të tërhiqet.

Paparaci, ka provuar të kontaktojë me kryetarin Hetemi por ai ka qenë i paqasshëm në telefon të martën.

Hetemi, i cili përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje, të hënën bojkotoi një takim të ftuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Në takim shkuan dy kryetarët e tjerë të komunave veriore në Zubin Potok, respektivisht Zveçan, të cilët janë përfaqësues të PDK-së.